Halili në debatin për gjuhën shqipe: Zaevi i manipuloi shqiptarët

Ish-ambasadori Muhamed Halili ka kritikuar ashpër mënyrën e trajtimit të çështjes së gjuhës shqipe në vend, duke e cilësuar formulimin kushtetues “20 për qind” si një zgjidhje të gabuar politike dhe duke vlerësuar se problemi më i madh është moszbatimi i saj në praktikë.

Duke folur në debatin publik me temën “(Mos)zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve: zgjidhjet dhe pasojat”, të organizuar nga Lëvizja Studentore në bashkëpunim me Democracy Lab, Halili tha se përgjegjësia për gjendjen aktuale nuk duhet t’i atribuohet vetëm pushtetit aktual.

Sipas tij, duhet të analizohet pse çështja e përdorimit të gjuhës shqipe nuk është zgjidhur në mënyrë të plotë nga të gjitha qeveritë e deritanishme.

“Nuk duhet fokusi të vihet se jemi mbledhur për të gjykuar këta që janë në pushtet se nuk zbatohet ligji, por duhet të gjykohet pse shqiptarët në të gjitha qeveritë e deritanishme nuk e zbatuan”, deklaroi Halili.

Ai akuzoi ish-kryeministrin Zoran Zaev se kishte përdorur çështjen e gjuhës shqipe për të siguruar mbështetje politike për ndryshimet kushtetuese, duke e quajtur atë një “manipulim” ndaj shqiptarëve.

Sipas Halilit, gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese ishte premtuar se sintagma “20 për qind” do të zëvendësohej me termin “gjuha shqipe”, por kjo nuk ndodhi.

“Për të na mashtruar, Zaevi na tha se nuk ka problem dhe kjo gjë do të bëhet. Kur erdhi koha që kjo të zbatohet në praktikë, ai nuk e mbajti fjalën dhe mbeti 20 përqindëshi”, tha Halili.

Ish-ambasadori vlerësoi se mosrealizimi i këtij premtimi ka lënë të hapur debatin për statusin e gjuhës shqipe dhe për zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.

Deklaratat e Halilit u bënë në kuadër të debatit publik ku profesorë universitarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile diskutuan mbi sfidat, zgjidhjet dhe pasojat që lidhen me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. përcjell Zhurnal.mk .