Pep Guardiola ka deklaruar se ai do të kthehej te Barcelona vetëm “nëse do të ishte e domosdoshme”, pavarësisht se ka nënshkruar rinovim dyvjeçar me Man. Siti-n, javën e kaluar. Planet e tij pas skadencës së kontratës me “Qytetarët” nuk dihen, por Guardiola ka lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për një kthim te Barcelona si trajner nëse “do të mendoja se do të isha i domosdoshëm për klubin”. Sipas “Mundo Deportivo”, katër herë fituesi i Premier Ligës ka shpjeguar këtë mundësi.
“Është një mënyrë e keqe të shihet si një detyrim për t’u kthyer, sepse Barça ka vazhduar të fitojë edhe pa mua. Nuk mund të mendohet në këtë mënyrë. Nëse do të mendoja se do të isha i domosdoshëm, do të kthehesha, por ky nuk është rasti. Ka faza, ka një proces, dhe nëse do të më duhet të kthehet një ditë, kjo do të ndodhë”.
Man. Siti, është në kërkim të titullit të pestë në Premier Ligë nën drejtimin e trajnerit legjendar, por është pesë pikë larg Arsenal-it kryesues. Megjithatë, ata nuk kanë arritur kurrë të fitojnë Ligën e Kampionëve, një kompeticion që Pep e ka fituar herën e fundit si trajner i Barçës në vitin 2011.