Guardiola për të ardhmen e tij te City: Nuk do të bëj si Ferguson apo Wenger

Pep Guardiola nuk ka qenë asnjëherë mbështetës i kontratave të gjata.
Çdo vit ai vlerëson dhe vendos se çfarë është më e mira për të dhe për klubin dhe, nëse beson se mund të vazhdojë të kontribuojë, atëherë ai e zgjeron angazhimin e tij. Kështu i ka shkuar mirë deri në këtë moment, si në Barcelona ashtu edhe në Manchester City.

Tani, trajneri katalanas, i cili është gati të mbushë 52 vjeç, ka këmbëngulur në argumentin e tij, duke e bërë të qartë se ai nuk do të bëjë si Sir Alex Ferguson në Manchester United apo Arsene Wenger në Arsenal. Si anglezi ashtu edhe francezi jetuan një karrierë të gjatë që i kaloi 20 vjetët.

“Në momentin që ndjej se diçka nuk është në rregull, do të jap dorëheqjen ose nuk do të rinovoj kontratën time. Nuk do të qëndroj si Ferguson apo Wenger. Kontrata është vetëm një copë letër. E zgjata angazhimin tim ndaj klubit sepse mendoj se ekipi mundet ende të bëje, mirë nën drejtimin tim. Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me rezultatin. Nëse lodhemi me njëri-tjetrin, nuk qëndroj deri në fund për shkak të kontratës”, pranoi ai.

Kujtojmë që Pep së fundmi zgjati kontratën me ‘Citizens’ deri në vitin 2025.