Guardiola pas fitores ndaj Wolves: Do të kemi probleme në mbrojtje, shkojmë për fitore ndaj West Ham

Pep Guardiola ka dhënë disa komente pas fitores ndaj Wolverhampton.

Manchester City luajti në udhëtim kundër Wolverhampton, në kërkim të tri pikëve që do ta mbajnë në krye të Premier League së paku edhe për një xhiro.

Fantazisti Kevin De Bruyne u përkujdes për fitoren e City duke shënuar 4 gola në rezultatin 5:1. Por, mbrojtja e ‘Citizens’ u gjymtua përsëri me Aymeric Laporte e Fernandinho që pësuan lëndime.

“Ne do të kemi probleme të mëdha në mbrojtje… por ne do të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Shkojmë te West Ham për të marrë fitoren”, ishin fjalët e trajnerit.

Pep Guardiola me skuadrën e tij duhet të marrin dy fitore, ose një fitore dhe një barazim (nëse ruajnë goldiferencën më të mirë sesa Liverpool) për t’u shpallur skuadër kampione në Premier League.

Dy ndeshjet e fundit për Manchester City janë ajo kundër West Ham në udhëtim dhe ajo ndaj Aston Villa në ‘Etihad Stadium’.