Guardiola: Mos e kritikoni Haalandin, do të duhet të kërkoni falje më vonë

Mancester City do të presë Nottingham Forest në ndeshjen e xhiros së gjashtë të Ligës Premier. Menaxheri i kampionëve në fuqi në kampionatin anglez, Pep Guardiola, ka paralajmëruar ndeshjen me një rishikim të formës së Erling Haaland.

Sulmuesi norvegjez deri më tani ka shënuar shtatë gola në ligë dhe është golashënuesi më i mirë në kampionat.

Për shkak të realizimit të mundësive të tij, që këtë sezon është 29 për qind, ndërsa në të njëjtën periudhë sezonin e kaluar ishte 60 për qind, disa kanë filluar të kritikojnë golashënuesin e madh 23-vjeçar. Por, Guardiola e mbron atë.

“Ai kishte shanse të mëdha dhe mund të kishte shënuar 14 ose 15 gola tashmë. Kjo do të thotë se ne po luajmë mirë”, ka thwnw fillimisht Guardiola.

“Unë gjykoj se si luan skuadra duke parë sa raste pati Erling. Nëse ai nuk përfshihet në këtë mundësi, do të thotë se diçka është gabim me dinamikën dhe procesin në lojën tonë”.

“Unë ju këshilloj që të mos e kritikoni shumë. Kritikoni mbrojtësit, portierët apo trajnerin, por asnjëherë sulmuesin që shënon gola sepse ai do të shënojë dhe do t’ju vendosë në një pozicion ku duhet t’i kërkoni falje”.

“Ai po përmirësohet çdo javë”, shtoi Guardiola dhe bëri shaka se “nuk mund të fle” për shkak të humbjeve të Haaland.