Guardiola me përgjigje brutale ndaj Carragher: Nuk ka fituar asnjë titull

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thumbuar dy ish-yjet e Ligës Premier dhe aktualisht ekspertët e Sky Sports, Gary Neville dhe Jamie Carragher.

Të dy komentatorët anglezë kanë pohuar se City nuk do ta fitojë Ligën Premier këtë sezon.

Guardiola deklaroi: “Gary Neville e di se sa të vështira mund të jenë gjërat, përndryshe ai do të kishte fituar katër Liga Premier radhazi gjatë kulmit të Manchester United. Por, ai nuk e bëri këtë. Ndoshta ata na akuzojnë se jemi të vetëkënaqur sepse ata vetë ishin të vetëkënaqur te United”.

“Micah Richards nuk ka fituar katër tituj të Ligës Premier radhazi dhe Jamie Carragher nuk ka fituar asnjë titull. Asnjëherë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë”.

“Kur humbasim pikë njerëzit thonë: ‘Ti humb pikët kundër Liverpoolit, Chelseat dhe Tottenhamit – çfarë fatkeqësie’. Janë Chelsea, Liverpool dhe Tottenham – çfarë presin njerëzit? Që të mund të shënojmë 120 pikë dhe të jemi 20 përpara?”

“Këtë e kam dëgjuar shumë herë në shtatë vjet. Nëse nuk fitojmë, është vetëkënaqësi. Nëse humbim në gjysmëfinale, nuk kemi karakter”, ka shtuar më tej trajneri i Manchester Cityt.