Guardiola: Futbolli është i paparashikueshëm, ndonjëherë është kështu dhe duhet pranuar

Pep Guardiola ka dhënë komentet e tij pas eliminimit nga Champions League.

Trajneri i Manchester City u paraqit në konferencë për shtyp pas ndeshjes ndaj Real Madrid.

Ai tha se skuadra e tij nuk vuajti shumë në këtë ndeshje, megjithatë, futbolli ndonjëherë është i paparashikueshëm dhe gjërat duhet pranuar ashtu siç janë.

“Ishim afër, por futbolli është i paparashikueshëm. Ndonjëherë është kështu dhe duhet pranuar. Është e thjeshtë, në pjesën e parë nuk kishim lojën tonë, s’ishim mjaftueshëm të mirë, por nuk vuajtëm shumë. Pas golit, ishim më mirë, gjetëm tempon dhe lojtarët ishin më rehat. Në 10 minutat e fundit, ata sulmuan dhe ne vuajtëm. Ata vendosën shumë lojtarë në zonë dhe shënuan dy gola”, tha Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Është gjysmëfinale dhe lojtarët ndjenë presionin. Lojtarët janë të mërzitur sepse ishin afër finales. Tani duhet kohë për ta procesuar këtë, të kthehemi në shtëpi te njerëzit tanë dhe për katër ndeshjet e fundit që i kemi”, shtoi mes tjerash trajneri i City.

Pep Guardiola vazhdon të vuajë në Champions League, duke mos e fituar trofeun që nga viti 2011.