Grubi-Von der Leyen: Maqedonia e Veriut është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit në BE

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është pritur sot me nderime të larta shtetërore në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski dhe kabineti qeveritar.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi i cili ishte pjesë e kësaj pritje, në faqen e tij zyrtare në Facebook, shkruan se kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë sepse po dëshmohet sërish përkrahja e BE-së drejt rrugës europiane të vendit.

Ndër të tjera Grubi thekson se me miratimin e Ndryshimeve Kushtetuese, Maqedonia e Veriut shpejton procesin për integrim të plotë europian.

Statusi i plotë:

Mbështetja e Bashkimit Europian nuk zbehet, përkundrazi çdo ditë e më tepër përforcohet!

Një tjetër vizitë e një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe rajonin e kryetares së Komisionit Europian, znj. Ursula von der Leyen, reflektim i mbështetjes së palëkundshme europiane për vazhdimin e rrugës sonë të zhvillimit, reformimit progresiv dhe integrimit.

Mesazhi i saj se jemi në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit dhe vlerësimi i punës së deritanishme dhe progresit që kemi shënuar është inkurajim për të mos stagnuar, pikërisht tani kur shumë nga sfidat dhe pengesat që kishim para vetes i kemi tejkaluar me guxim dhe sukses.

Ndryshimet kushtetuese janë proces i domosdoshëm që do të determinojë shpejtësinë e hapit tonë drejt integrimit europian, prandaj fokusi ynë duhet të jetë në miratimin e tyre.

Plani për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor i prezantuar sot nga Bashkimi Europian, i cili parasheh hapjen e tregut rajonal dhe kyçjen е ekonomisë sonë në tregun evropian duke hequr shumë barriera kufizuese, si dhe mbështetje financiare të Unionit, do të ndikojë në përforcimin e kapaciteteve tona ekonomike, në procesin e realizimit të reformave të nevojshme dhe në ngritjen e cilësisë së standardit jetësor.