Grubi priti në takim ambasadoren e Suedisë në vend, Ami Larsson Jain

Shkup, 6 Tetor – Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi ka pritur sot në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Suedisë në vend, znj. Ami Larsson Jain, të cilës i ka uruar mision të suksesshëm diplomatik në vendin tonë.

Grubi dhe Larsson Jain kanë bashkëbiseduar rreth raporteve të mira bilaterale mes të dyja vendeve, vendimeve të rëndësishme që ka ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të ndërtuar themelet e shëndosha të një shoqërie demokratike mbi vlerat e barazisë dhe demokracisë konsensuale, si dhe për të realizuar synimin e integrimit në strukturat euro-atlantike përmes Marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë, Grubi njoftoi ambasadoren Larsson Jain për progresin që ka shënuar vendi në rrugën drejt Bashkimit Europian me hapjen e negociatave të integrimit, duke shprehur faleminderim për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen progresive të vendit.

Gjatë takimit është shprehur edhe rëndësia e madhe е avancimit të rrugës së integrimit, me ç’rast Grubi ka njoftuar ambasadoren suedeze për përkushtimin e Qeverisë properëndimore të vendit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, përgatitjet intenzive që po realizohen për procesin e skriningut që do të fillojë më 7 Nëntor të këtij viti dhe fokusin e vazhdueshëm në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupcionit.

Ambasadorja Larsson Jain ka shprehur faleminderimin e saj për përkrahjen e madhe që vendi ynë i jep integrimit të Suedisë në NATO dhe përkrahjen e plotë të vendit të saj në të gjitha proceset e nevojshme të zhvillimit dhe integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.