Grubi: Ideja për subvencionim të punësimeve në bazë etnike është përfaqësim i drejtë dhe adekuat i të gjithëve

Nuk ka asgjë kontestuese në idenë për subvencionim shtetëror kompanitë të cilat do të punësojnë pjesëtarë të bashkësive etnike. Bëhet fjalë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët ku janë ato bashkësi të pakicave. Flasim për mënyrat, idetë se si të tejkalohet perceptimi, por edhe realiteti faktik se ka punësime monoetnike në sektorin privat, ndërsa veçanërisht në kompanitë ku shteti ka pjesë. Ende nuk është marrë kurrfarë vendimi, propozimi shqyrtohet dhe duhet të zgjidhet në nivel të përfaqësuesve të koalicionit LSDM-BDI. E kemi biseduar dhe për të ka bazë në programin qeveritar, theksoi sonte zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive, Artan Grubi.

Siç tha Grubi, duke qenë mysafir në TV 24, reagimi në opinion për këtë propozim të tij ka treguar se shoqëria ende nuk është e gatshme ta pranojë barazinë e të gjithë qytetarëve në tërësi, dhe në obligime, por edhe në drejtësi.

“Flasim jo për punësim të shqiptarëve në firmat private, por për të gjithë qytetarët. Ideja është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në kompanitë private, veçanërisht në kompanitë ku edhe shteti ka pjesë. Nuk ka asgjë kontestuese në atë dhe nuk shoh arsye për reagim histerik. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por me të gjithë qytetarët ku ato janë bashkësi të pakicave. Megjithatë, cilësia është gjithsesi prioritet”, potencon Grubi.

“Sipas tij, në kompanitë private, veçanërisht në disa ku edhe shteti ka pjesë, përfaqësimi i drejtë është minimal, pothuajse edhe joekzistues – jo vetëm për shqiptarët, por edhe për romët, turqit, vllehët dhe serbët në disa raste, por edhe për maqedonasit në pjesën perëndimore të vendit: Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë – ku shqiptarët janë shumicë.

“Kushtetuta me ndryshimet sipas Marrëveshjes së Ohrit parashikon përfaqësim të drejtë, adekuat të bashkësive etnike. Unë në atë bëj thirrje”, përmendi Grubi.

Në pyetjen nëse pozita e tij “zëvendëskryeministër i parë” do të thotë ndonjë prioritet mbi nënkryetarët tjerë në Qeveri dhe pse është pikërisht ashtu e quajtur, Grubi sqaroi se rreth definimit të tij nuk ka pasur kurrfarë insistime ose drama, as nuk bëhet fjalë për suetë personale.

Përkundrazi, detyra ime, përveç asaj që e zëvendësoj kryeministrin, është edhe të kontribuoj në koordinim me të gjithë resorët dhe në kohezion të realizimit të detyrave qeveritare. Qeveria nuk është as binacionale as bietnike, as nuk është Qeveri e maqedonasve dhe shqiptarëve, por e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe është e përbërë nga LSDM-ja, BDI-ja dhe partitë tjera politike të cilët janë pjesë e koalicionit. Nuk ka kurrfarë ndarje në Qeveri, ka vetëm atmosferë më të mirë, më konstruktive dhe punohet në mënyrë më efikase. Ministrat përgjigjen para Kuvendit, para qytetarëve dhe para Qeverisë. Kryeministër është një, ai është Zaev, siç është një edhe nënkryetari i parë i Qeverisë, ndërsa ai jam unë”, tha Grubi.