Grabiten disa dyqane në Çarshinë e Shkupit gjatë orës policore, policia nuk di gjë (VIDEO)

Të paktën katër dyqane janë grabitur të dielën dhe të hënën gjatë orës policore në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, shkruan gazeta LAJM. Kiosku i Orhan Shabanit është grabitur rreth orës 1 e 30 pasmesnate. Ai thotë se hajnat i kanë vjedhur shumë pako me cigare dhe një shumë parashë.

Grabiten disa dyqane në Çarshinë e Shkupit gjatë orës policore, policia nuk di gjë (VIDEO)

Posted by Lajm TV on Tuesday, May 26, 2020

“Rasti ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në ora 1 e 30. Mu lajmëru siguri më thanë se e kanë thy duqanin, erdha këtu dhe e pash se duqani është thyer. Përvec meje mbrëmë janë thyer edhe tre duqane tjera, por atje nuk e di a ka dëme, kurse te unë ka dëme. Dëme ka më kanë marrë pare edhe cigare. Rastin nuk e kemi paraqitur në polici, por e bëjmë”, tha Orhan Shabani, pronar i kioskut.
Edhe xhamat e lokalit “Arasta” janë thyer gjatë orës policore. Sipas punëtorëve të këtij lokali hajnat kanë vjedhur një shumë të vogël parash dhe pijet që ndodheshin në lokal.
Esnafi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit, Bejutallah Morina, tha se vjedhje në Çarshinë e Shkupit ka në vazhdimësi, ndërsa kryerësit e vjedhjeve, sipas tij, janë të mbrojtur.
Pronarët e dyqaneve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit kërkojnë mbrojtje nga institucionet që këto raste të mos përsëriten.
Nga Policia thanë se, në Çarshinë e vjetër të Shkupit gjatë ndalesës për lëvizje të miratuar nga Qeveria e RMV-së edhe atë nga ora 11 më datë 24.05.2020 deri në ora pesë më datë 26.05.2020, nga verifikimet e bëra në buletinin e SPB Shkup është vërtetuar se nuk janë denoncuar raste të tilla, thonë nga MPB.
Pronarët e lokaleve shprehin habi se si ka mundur policia të mos i vërejë hajdutët, në kohën kur askush nuk ka lëvizur.
Ndërkohë, mëngjesin e së dilës rreth orës 3 e 15 nga një person i panjohur u dogj me benzin lokali i njohur në Shkup “Oper Pub”, i cili gjendet në afërsi të objektit të “Opera dhe Baleti”. Autorët e këtij rasti ende nuk janë kapur nga policia./Albion Memeti, Amir Idrizi – Gazeta LAJM