Gjyla Çeliku me mesazh përkrahës për Artina Qazimin: Shpifësit dhe zagarët duhet të jenë motiv dhe jo dëshpërim!

Ti vajzë e re, e bukur, e zgjuar, e shkolluar, me ambicje për të vazhduar shkollimin me mundin tënd dhe jo shkollim të blerë në universitetet e tyre private për shitje diplomash, unë jam shumë e lumtur që ti nesër do përfaqësosh femrën shqiptare, zërin e rinisë dhe do luftosh që zëri yt të bashkohet me më shumë femra dhe rini!
Ata/ato shpifësit s’kanë faj sepse partia e tyre s’ka më rini, s’ka as femra të reja(më duket dy femra të cilat burrat i kanë funksionarë po të të njejtës parti) ishin risi aty, të tjerët janë të gjithë mbi 40 vjet. Artina, për mua moti shpifin sepse nuk u shita të bëhem vegël e atyre! Mua moti më ndjekin sepse donin të më njollosin, i blenë pothuajse pjesën më të madhe të miqësisë time sepse u duhej material nga jeta ime private dhe publike, por përsëri u harxhuan kot sepse unë u ndërtova me djersën time dhe ato që ua thosha miqëve të mi i them edhe në publik. Kam një familje të shëndoshë që ia uroj secilës. Dështuan. Të kuptoj je femër dhe mund t’jesh lënduar, sepse jam lënduar edhe unë me raste, por qëllimi i pastër triumfon çdoherë, ndaj ti vazhdo kokën lart. Unë nuk lëndohem më por i fitoj me vepra. Bëje edhe ti! Ata shpifin sepse shpifjen e kanë vegetë dhe ashtu si janë vetë të vegetosur mendojnë që të gjithë janë. Ata shpifin sepse i kanë momente të fundit në pushtet. Ata shpifin dhe harrojnë që deputetja e tyre e cila me moshë mund të jetë nëna yte aty në folteren e parlamentit u ngatërrua dhe i tha gazetarit: “ Unë nuk jam përgaditur për këto pyetje”, sepse si duket I kishte shtuar edhe dy pyetje më shumë se ato që i kishte dërguar gazetari. Ata shpifin duke harruar që ministresha e tyre në folteren lexonte kuturu deri sa e kujtoi Talat Xhaferi që nuk është në rrjedha me fjalimin, kishte ngatërruar fletat e fjalimit. Nuk përmenda emra femrash sepse nuk dua ti lëndoj dhe dua zërin e femrës cdohere ta dëgjoj në politikë, përndryshe për të gjitha që thash ekzistojnë edhe video në youtube.
Artina, ti u shprehe natyrshëm, ishe vetja, unë dua ti të vazhdosh të jesh vetja dhe ta dëshmosh me vepra. Shkrova pak për përvojën time me shpifësit të të dëshmoj që është kaluese, por harrova të të potencoj që edhe kërcënimet e shantazhat do të bëhen pjesë e jetës tënde nëse punon në interes të popullit që të ka besuar dhe nëse nijetin e ke të pastër cdohere fiton. Nuk ta them unë por flet përvoja ime!
Vazhdo kokën lart, me moral dhe dinjitet, me vepra dhe profesionalitet sepse ky soj qensh e hienash paguhet për këtë punë!
Suksese deputete shqiptare.
Gjyla Çeliku