Gjykata jep masën e sigurisë për 59 vjeçarin që vrau me automatik dy motrat

Gjykata ka vendosur të lërë prapa hekurave autorin e vrasjes së dy motrave në zonën e Unazës së Re në Tiranë.

Tiranë, 2 janar – Përparim Ademi, 59 vjeç, qëlloi për vdekje me kallashnikov motrat Kristina Bardhi, 53 vjeç dhe Zhaneta Metani, 45 vjeç, të cilat u vranë paraditen e 31 dhjetorit të vitit që lamë pas.

Një lidhje intime me një nga motrat dhe tentativa e saj për ta ndërprerë ka qenë shkaku që çoi në ngjarjen e rëndë.

Policia gjeti në vendngjarje 26 gëzhoja kallashnikovi, armë me të cilën autori kreu vrasjen. Pas krimit autori e la armën në apartament me karikator të zbrazur dhe u largua më këmbë. Dy orë nga ngjarja ai u kap pranë shkollës Vasil Shanto në Tiranë.

DËSHMIA

Përparim Ademi (Tela) ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë teksa ka pohuar në polici se ishte i lidhur me Zhanetën, por distancimi i saj dhe njohja me dikë tjetër duket se ka sjellë dhe vrasjen. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Dorjana Bezat, 59-vjeçari ka deklaruar se është i martuar, por njëkohësisht dhe kishte lidhje me 45-vjeçaren.

“Jam i martuar, por prej kohësh frekuentohem me dy motrat Kristinën dhe Zhanetën. Ato të dyja ishin të divorcuara. Kristina jetonte në Greqi dhe takoheshim rrallë ndërsa me Zhanetën kam qenë i lidhur. Ajo nisi të distancohej me mua dhe mesa kuptova kishte nisur lidhje me dikë tjetër. Shkova ta takoj t’i kërkoja llogari. Doja t’i kërcënoja, por të dyja më ofenduan dhe unë qëllova. Jam penduar për krimin”, ka deklaruar autori.

Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi dhe një të afërm të autorit.