Gjuha shqipe, ja si do përdoret në uniformat e policisë, komunat mbi 20% dhe disa njësi?!

Ardi Mehmeti/INA

Pasi që Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi Dekretin për uniformat e policisë edhe në gjuhën shqipe apo gjuhën mbi 20%, miratohet Rregullorja e re për mbajtjen, kohëzgjatjen dhe shpërndarjen e shënjimeve të uniformës nga ana e Ministrit të Brendshëm, mëson INA.

Rregullorja bazohet në Ligjin për gjuhët.

Në bazë të nenit 8 paragrafi (3) të ligjit në fjalë, uniformat policore; uniformat e zjarrfikësve; punonjësve shëndetësor; në Shkup dhe në komunat ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. dhe alfabetin e tij.

Pra gjuha shqipe do jetë evidente në komunat ku shqiptarët përbëjnë 20%.

Ish ministri i brendshëm, Agim Nuhiu qysh në gusht të 2020 kishte nënshkruar aktet normative për përdorimin e shqipes në MPB, gjegjësisht edhe tek uniformat.

Ai atëkohë theksoi se “Policia e trafikut, Policia kufitare, Njësiti i helikopterëve për detyra policore, Njësiti për detyra të posaçme, në të ardhmën do ta kenë shqipen në emblema dhe mbishkrimet tjera”, përcjell INA.

Zvkryeministri Artan Grubi tha se dekreti është një sukses i radhës dhe po përgaditet procesi i zbatimit.

“Me zëvendësministrin e punëve të brendshme, Nazim Bushin diskutuam mbi rëndësinë e ndryshimeve të miratuara të Dekretit për uniformat policore dhe fillimin e procesit të zbatimit të këtij vendimi që e bën të obligueshëm përdorimin e gjuhës shqipe tek uniformat e njësive policore të vendit në përputhje me ligjin”, theksoi sot zvkryeministri Grubi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se duhet pritur një vit për të nisur zbatimi i dekretit.

“Është lënë kohë për një vit pasi që për uniforma dhe pajisje tjera që kanë emblema duhet proces për tenderim dhe normalisht për prodhimin e atyre pajisjeve dhe për këtë është lënë ajo periudhë”, tha sot kryeministri Kovaçevski.

Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela thotë se kjo çështje duhej mbyllur moti, por ende po zvarritet dhe keqpërdoret nga BDI në pushtet.

“Uroj që ky dekret të mos ketë fatin e ligjit për gjuhët. Siç e dini ligji thotë që afati maksimal për implementimin e tij është 2019. Ligj ishte sjell në mars 2018. Në ligj ishin paraparë afate, afati i parë 6 mujor që parashihte ndërrimin e tabelave. Afati i dytë ishte maksimum një vjet që parashihte implementimin e plotë duke përfshirë uniformat e policisë. Realisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për vonesën tre vjeçare. Kuptohet këto vonesa kanë të bëjnë me ata që vonuan këtë ligj për më shumë se 15 vjet, e që 20 vjet janë në pushtet. Shpresoj që ky dekret të mos ketë fatin e ligjit. Gjithmonë kështu manipulojnë opinionin, si shembull ku është implementimi i gjuhës shqipe në gjykata. Natyrisht bëhet fjalë për marketing të ulët nga një parti që këtë temë duhet ta kishte konsumuar nga viti 2002 kur hyri në Qeveri”, theksoi Sela.

Ndërkohë, miratimi i dekretit qeveritar për uniformat në dygjuhësi ka qenë cak i sulmeve nga opozita maqedonase.(INA)