Gjermania ndryshon rregulloren e vaksinimit, si do të bëhet tani imunizimi?

Gjermania ka reaguar ndaj kritikave se miliona doza të vaksinave të AstraZenaca-s janë grumbulluar nëpër frigoriferë dhe nuk po përdoren. Arsyeja është pjesërisht mosbesimi ndaj vaksinës britaniko-suedeze por edhe politika e ngurtë vendase e vaksinimit. Javën që shkoi nga Gjermania mbërriti lajmi se tashmë një milionë doza të kësaj vaksinë kishin mbetur ta papërdorura.

Sipas ministrisë së shëndetësisë së Gjermanisë, prodhuesit kanë dërguar 1,7 milionë doza që javën e kaluar dhe po dërgojnë gjatë kësaj jave edhe 1,8 milionë të tjera. Deri tani nuk janë përdorur as 15 përqind të vaksinave AstraZeneca. Mosbesimi ndaj saj lidhej sidomos me dyshimet se nuk e ka efektin e duhur ndaj mutantit afrikano-jugor, çfarë e ka detyruar edhe qeverinë afrikano-jugore që të mos e përdorte më vaksinën britaniko-suedeze.

Por virologu i mirënjohur gjerman, Christian Drosten, u shpreh në një takim virtual ekspertësh se kjo nuk vlen për Gjermaninë.

“Ne nuk mund të themi që tani se sa do të përhapet mutanti afrikanojugor në Gjermani“, tha ai.

Leif Erik Sander, gjithashtu profesor në Klinikën Universitare Charite, tha se AstraZeneca, sikurse edhe dy vaksinat e tjera Biontech/Pfizer dhe Moderna është “në përgjithësi një vaksinë shumë e sigurtë“.

Rregullorja strikte e vaksinimit ka ndikuar gjithashtu. Ajo u jep përparësi moshave të thyera, ndërkohë që vaksina AstraZeneca është licencuar për grupmoshat nga 18 deri në 65-vjeçare. Sipas burimeve të radiotelevizionit publik gjerman, NDR, mësohet se tani ministria e shëndetësisë ka hartuar një draft për të ndryshuar renditjen e vaksinimit. Aty parashikohet që të fillohet vaksinimi edhe për moshën nën 65-vjeçare me AstraZeneca-n. Duke filluar nga prilli, do të vihen në përdorim edhe ekipe ambulante vaksinimi, dhe vaksinat do të bëhen edhe te mjeku i kompanisë ose mjeku i familjes.