“Gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, është gjetja e rrugës së duhur“

Me ftesë të homologut amerikan Joe Biden, presidenti kinez Xi Jinping do të shkojë në San-Francisko për një samit midis dy vendeve.

Duke qenë se kanë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, kreu i shtetit kinez ka vënë në dukje se Kina dhe ShBA-ja duhet të ndjekin parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe përfitimeve të përbashkëta.

Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, që nga gjysma e dytë e këtij viti, ShBA-ja ka shprehur shpesh dëshirën për të komunikuar me Kinën. Përfaqësues nga qarqet amerikane të politikës dhe biznesit kanë shkuar në Kinë më shpesh dhe pesë delegacione u pritën nga presidenti Xi Jinping. Për shembull, vetëm këtë muaj, zyrtarë vendorë nga 22 shtete amerikane bënë vizitë në Kinë.

Sipas komentit, që nga dita e parë e kontakteve mes Kinës dhe ShBA-së, të dy vendet e dinin se ishin të ndryshëm në shumë aspekte, por kjo megjithatë nuk ndikoi në shkëmbimet mes tyre.

Dhjetë vjet më parë, Kina, e cila sapo ishte bërë ekonomia e dytë në botë, tërhoqi “vëmendjen” e ShBA-së. Shumë shpejt, ShBA-ja krijoi një “strategji të ribalancimit të Azi-Paqësorit”, që synonte të prishte qetësinë dhe qëndrueshmërinë rajonale. Në të njëjtën kohë, u formua Traktati i Partneritetit të Trans-Paqësorit (TPP) për ta përjashtuar Kinën nga qarku ekonomik i Azi-Paqësorit.

Megjithatë, në rrethana të tilla, presidenti Xi Jinping bëri vizitën e tij të parë në ShBA pas marrjes së detyrës se kreut të shtetit. Në takimet gjatë kësaj vizite, ai e bëri të qartë synimin e nxitjes së bashkëpunimit, jo ndarjes.

Sipas komentit të CMG-së, në 50 vjetët e ardhshëm, gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare është gjetja e rrugës së duhur të zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane
Në kontekstin aktual të sfidave globale dhe acarimeve në rritje, bashkëpunimi kino-amerikan do t’i shtojë pa dyshim qëndrueshmërinë botës kaotike dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së njerëzve në mbarë botën.

Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet me ShBA-në nga perspektiva e mirëqenies globale. Por problemi është se ka gjithmonë forca që ndërhyjnë në këto marrëdhënie, duke i shtyrë në një skaj të rrezikshëm dhe duke sjellë panik në vendet e rajonit.

Tani, ShBA-ja ka dëshirë për të bashkëpunuar me Kinën në trajtimin e konflikteve rajonale. Pala kineze nuk ka refuzuar kurrë të bashkëpunojë, por, sipas komentit, kushti paraprak është se nuk mund të synohet bashkëpunimi me Kinën duke e frenuar atë, as të punohet me Kinën për të zgjidhur sfidat ndërkombëtare duke dëmtuar interesat e saj thelbësore.

Historia ka vërtetuar se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund të arrijnë rezultate të mëdha për të mirën e botës nëpërmjet bashkëpunimit si lufta antiterroriste, zgjidhja e krizës financiare globale apo nxitja e arritjes së Marrëveshjes së Parisit kundër ndryshimeve klimatike dhe zgjidhja e problemit të Lindjes së Mesme.

Prodhimi e përgjithshëm ekonomik i Kinës dhe ShBA-së e tejkalon një të tretën e vëllimit të përgjithshëm botëror, popullsia e tyre zë gati një të katërtën e popullsisë botërore dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe përbën afërsisht një të pestën e totalit botëror.

Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë sa të thella, edhe të gjera, dhe bota nuk mund të durojë keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara nga të dyja palët.

“Kina dhe ShBA-ja duhet të eksplorojnë mënyra novatore për të krijuar një marrëdhënie ndërmjet fuqive të mëdha që është e ndryshme nga konkurrenca për burime dhe “loja ku fituesi i merr të gjitha” si në të kaluarën. Kina dhe ShBA-ja duhet të punojnë së bashku për ta bërë “kurthin e Tuqididit” një gjë të së kaluarës, mbyllet komenti i CMG-së.