Gërmonin ilegalisht për ar në Gostivar, policia ua ndërpret “gjuetinë e thesarit” – katër të arrestuar

Katër burra janë ndaluar nga policia në fshatin Kalishtë të Gostivarit, pasi janë kapur duke gërmuar ilegalisht në kërkim të arit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Ngjarja ka ndodhur më 23 tetor, rreth orës 20:20, në vendin e quajtur „Guri Sokoleci“. Të ndaluarit janë N.S. (63) nga Xhepçishti, M.D. (55) nga Çellopeku, si dhe Z.M. (72) dhe N.K. (78) nga Vrapçishti.
Gjatë kontrollit, policia u ka sekuestruar një detektor metalesh, lopata, kazma dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për gërmime.
Ata dyshohen për veprën penale „dëmtim ose shkatërrim i të mirave nën mbrojtje të përkohshme ose i rrallësive natyrore“, sipas nenit 264 të Kodit Penal.
Të katër janë mbajtur në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të rastit do të pasojë kallëzimi përkatës./skopje1.mk