Gati 300 raste të prekura me virusin e ri në Kinë

Shtatëdhjeteshtatë raste të reja u identifikuan vetëm të hënën, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetit.

Virusi i ri, i cili u shfaq për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës në muajin dhjetor, u identifikua si një lloj koronavirusi.

Koronaviruset janë një familje e gjerë e viruseve, por vetëm gjashtë prej tyre dihet se i infektojnë njerëzit.

Autoritetet besojnë se shpërthimi i koronavirusit të ri mund të jetë përhapur në 14 provinca kineze, ashtu si edhe në Tajvan, Filipine, Japoni, Kore të Jugut, Tajlandë dhe Australi.

Vlerësimet e para të shkencëtarëve janë se virusi mund të merret vetëm nga kafshët, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit nga njeriu në njeri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se do të shqyrtojë të mërkurën shpalljen e një urgjence ndërkombëtare të shëndetit publik, për shkak të virusit.

Virusi mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i, transmeton REL.

Sars – sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes – ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-3.