Gashi: Për mua arsimtari është një qenie e veçantë

Kryetari i Alternativas Afrim Gashi, i ka uruar të gjithë mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit, 7 Marsin.

Postimi i plotë i Gashit:

Shumë të dashur arsimtarë e arsimtare, në këtë ditë të madhe të shkollës shqipe, duke jua uruar festën e 7 Marsit, më lejoni që secilin prej jush ta falënderoj individualisht dhe personalisht për detyrën që e bën si mësues dhe edukator në arsimin shqip.
Nuk është patetike të thuhet se arsimtari shqiptar në vendin tonë është një misionar që e ushqen qenien e kombit. Falë tij, gjeneratat e reja mbruhen me dashuri për gjuhën shqipe, për kulturën, moralin dhe, përgjithësisht, për dijen. Ky është një angazhim përtej detyrimit të marrëdhënies së punës që e kanë arsimtarët me institucionin e shkollës. Sepse, derisa orari i të gjitha punëve ka një fund, kujdesi i arsimtarit nuk resht as kur ai ndahet nga objekti i shkollës. Ai jeton me nxënësit dhe për nxënësit. Ai gëzohet për suksesin e tyre dhe thyhet nga dështimi i tyre. Prandaj, për mua arsimtari është një qenie e veçantë, që nuk perceptohet vetëm në përmasat e botës sonë materiale.
Andaj, arsimtarë të dashur, duke qenë i bindur se shoqëria dhe shteti ynë ju detyrohen gjithnjë juve, ndërsa ju jeni heronjtë e panjohur dhe autorët e suksesit të secilit intelektual, dëshiroj t’ju them se unë jam i sigurt se shteti ynë nuk ka arritur t’ju falënderojë akoma për punën tuaj. Prandaj, duke shpresuar se pas kësaj pranvere vijnë ditë të mira për mbarë shoqërinë, jam shumë i bindur se vitet e ardhshme edhe ju do ta festoni 7 Marsin duke i llogaritur sukseset tuaja dhe të nxënësve tuaj. Nëse jo më shumë, pranverat e ardhshme do ju gjejnë duke punuar me ditar në dorë pa ia menduar asnjë partie dhe asnjë detyrimi e presioni politik.
Sidoqoftë, pavarësisht rrethanave shoqërore e politike, ju do të gjeni mbështetjen time gjithnjë dhe pa asnjë rezervë!

Urime 7 Marsin!