Gashi nga Tirana: Mundësitë reale në vend janë kyçi i parandalimit të migrimit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, mori pjesë në
Samitin e Diasporës Shqiptare të mbajtur në Tiranë, ku u diskutua mbi rolin e diasporës në
zhvillimin demokratik dhe përfaqësimin institucional.
Në fjalën e tij, Kryetari Gashi theksoi rëndësinë e adresimit të shkaqeve të migrimit, duke
nënvizuar nevojën për krijimin e politikave të qëndrueshme që sigurojnë përfaqësim më të
madh të diasporës në proceset vendimmarrëse. Ai veçoi gjithashtu domosdoshmërinë e
ndërtimit të mundësive reale për qytetarët, me qëllim që ata të mund të realizojnë
potencialin e tyre intelektual dhe profesional në vendin e tyre, si një nga mënyrat kyçe për parandalimin e migrimit.

Në kuadër të kësaj vizite, Kryetari i Kuvendit realizoi takim me Presidentin e Republikës së
Shqipërisë, Bajram Begaj. Në këtë takim u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet
dy vendeve, si dhe përkushtimi i përbashkët në rrugën drejt integrimit evropian.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke diskutuar edhe për
zhvillimet politike dhe rolin shtetformues të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së
Veriut. Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore si element kyç për
forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve. U theksua se partneriteti strategjik me orientim të
qartë euroatlantik, bashkëpunimi korrekt dhe mbështetja e ndërsjellë mbeten shtyllat
kryesore për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve vëllazërore.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Kryetari Gashi zhvilloi gjithashtu takim me Kryetarin e Kuvendit
të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi. Në këtë takim, i pari që nga marrja e detyrës së
tij si Kryeparlamentar, u vlerësua si hap i rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit
ndërparlamentar. Bashkëbiseduesit diskutuan për përparimet dhe sfidat e përbashkëta në
rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar rolin e kuvendeve në afrimin e politikave,
shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e një dialogu të qëndrueshëm institucional. Me këtë
rast, Kryetari Gashi e ftoi homologun e tij për një vizitë zyrtare në Shkup, me qëllim thellimin
e mëtejmë të bashkëpunimit përmes diplomacisë parlamentare dhe iniciativave të
përbashkëta.