Garazha në kate hiqet nga qendra e Kumanovës, ndërtohen vendparkime të reja

“A do të zhvendoset garazha e montazhuar në kate që gjendet para objektit të Shtëpisë së Kulturës në Kumanovë”, pyeti këshilltarja e VMRO-DPMNE-së, në seancën e fundit të Këshillit komunal të Kumanovës Hristina Bozhinovska, duke shtar se “aty nuk e ka vendin”, sepse, sipas saj, “shërben si një lloj hije” para godinës së Shtëpisë së Kulturës, ku zhvillohen shumë manifestime kulturore të qytetit, përcjellë portal “Kumanova Sot”.
“Për shkak se aktualisht sheshi qendror është në rikonstruim e sipër, është mirë që të zhvendoset edhe ky konstruksion i montazhuar i garazhit në kate”, tha ndër të tjera Bozhinovska.
Nga ana tjetër, kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski tha se garazha do të zhvendoset nga atje në momentin e parë që do të rritet kapaciteti i vendparkimeve në qytet. Sipas tij, ekzistojnë dy zgjidhje të mundshme – ndërtimi i garazhës së re në lokalitetin e ashtuquajtur “Çorobensko qoshe” ose në rrugën “Leninova” afër ish-Pastrimit kimik.
Portali: “Kumanova Sot”