Galip Veliu: Një jetë kushtuar dijes dhe iluminizmit

Në fillim të muajit gusht, në moshën 60 vjeçare në mënyrë të papritur ndërroi jetë mendimtari, filozofi dhe teologu islam nga fshati Vrapçisht i Gostivarit, profesori universitar Dr. Galip Veliu. Një humbje e madhe jo vetëm për miqtë dhe familjen, por edhe për komunitetin teologjik islam, si dhe për shumë njerëz e veçanërisht studentët, të cilët ai i mbështeti dhe frymëzoi. Me këtë, ky rajon humbi një mendimtar dhe humanist të rëndësishëm musliman, i cili në shumë aspekte ishte një person shembullor dhe bartës i shpresës.

Galip Veliu ishte pa dyshim një mendje kritike shumë përpara kohës së tij. Duke u nisur nga premisa që vetëm ndryshimi vetë mbetet i pandryshuar, ai si teolog i diplomuar dhe profesor i filozofisë gjatë tërë jetës së tij iu përkushtua trajtimt kritik të qasjeve të ndryshme epistemologjike dhe temave teologjike me rëndësi shoqërore.

Një nga qëlimet kryesore të përpjekjeve të tija intelektuale ishte etablimi i një qasjeje mirënjohëse për pluralitetin dhe larminë e mendimit veçanërisht në teologjinë islame. Qasjet e deritanishme të teologëve muslimanë ishin tepër të ngushta dhe dogmatike për të. Pikërisht në këtë ai e shihte arsyen e vërtetë të ngecjes aktuale në teologjinë islame, e cila nuk ishte e drejtuar drejt zhvillimit të interpretimeve të reja, por përkundrazi në ruajtjen dhe administrimin e asaj që veç dihej dhe paraqitjen e saj si një të vërtete të pandryshueshme.

Kjo qasje dogmatike, sipas tij, duhej të dekonstruktohej që të mundësohet një diversitet i mendimeve antagoniste që kanë vlerësim dhe mirënjohje të ndërsjellt dhe që konkurrojnë për një kuptim sa më të mirë të së vërtetës. Këto mendime nuk duhet të kenë pretendim për absolutitet, që është veti hyjnore dhe rrjedhimisht e paarritshme për njerëzit si qenie kontingjente dhe të kufizuara.

Interpretimet njerëzore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Zotin, janë fragmentare dhe paraqesin perspektiva subjektive, andaj ato gjithmonë duhet të vihen në pyetje kritike për të përparuar të menduarin teologjik. Absolutizimet dhe dogmatizimet paraqisnin për të pengesa të mëdha në përparimin shpirtëror. Secili brez duhet ta riinterpretojë fjalën e përjetshme të Zotit për kohën e vet, pa e ngritur interpretimin e vet në dogmë dhe pa e barazuar atë me fjalën e Zotit.

Kjo paraqiste për të rrugën e vetme për të mbrojtur individët nga jomaturia (fetare) dhe për të avancuar iluminizmin shoqëror. Vetëm kështu do ishte e mundur të arrihet një ndërlidhje me kohërat e lavdishme të së kaluarës, kur muslimanët arritën kulmin e zhvillimit të tyre kulturor dhe shkencor, duke zbatuar nje tolerancë shembullore dhe të pashoqe në avancimin e pluralitetit të mendimeve të ndryshme.

Për të arritur këtë qëllim ambicioz, ose për të trasuar rrugën drejt tij, ai gjithnjë merrej me tema të ndjeshme, ashtu siç bënte dikur filozofi i njohur grek Sokrati. Ai trajtoi tema të veçanta që konsideroheshin teologjikisht të paprekshme, dhe i “çmontoi” ato duke përdorur argumente racionale me referenca ndaj Kur’anit. Në këtë mënyrë bëhej e qartë se prapa të vërtetave që besohej të ishin të amshueshme, ishin fshehur interpretime njerëzore të cilat varësisht nga periudha apo konteksti mund të kishin dalë krejtësisht ndryshe.

Kritika e tij nuk i drejtohej traditës së vjetër Islame, ashtu siç e keqinterpretojnë disa, por glorifikimit dhe pranimit të pakursyer të saj si një të vërtetë të përjetshme. Atë nuk e pengonin dijetarët e vjetër islam, të cilët, sipas mendimit të tij, kishin interpretuar fjalën e Zotit në mënyrën më të mirë brenda fushëveprimit të mundësive të atëhershme. Problemi për të qëndronte te individët bashkëkohorë që i lartësojnë këto interpretime dhe i ngrejnë në dogma të paprekshme që t‘i shmangen përgjegjësisë së tyre, për të bërë arritje të ngjashme në periudhën ku jetojmë.

Ai tregoi guxim të rrallë intelektual për të adresuar tema të pakëndshme teologjike dhe për t’i analizuar ato nga këndvështrime të reja dhe të patrasuara. Ky guxim i solli atij akuzën e njejtë që i drejtohej asokohe Sokratit se kinse i largon njerëzit, e veçanërisht të rinjtë, nga besimi i mirëfilltë. Këtë akuzë ai e pranonte si konfirmim të punës së tij, pasi qëllimi i tij ishte të vinte në pyetje dhe dyshim autoritetin e pakontestuar të establishmentit klerikal për të interpretuar të vërtetat fetare. Në këtë mënyrë ai i inkurajonte njerëzit që të perdorin arsyen e tyre jo me qëllim që të largohen nga besimi, por nga papjekuria e vetë-shkaktuar në të cilën ata ishin joshur përmes indoktrinimit në emër të Zotit.

Prandaj, teologjia gjithnjë duhet të ushtrohet me qasje ndërdisiplinare dhe me pluralitet perspektivash të ndryshme, që të mos jetë e kënaqur vetëm me tjerrjen e dogmave dhe doktrinave nga librat e vjetër teologjik. Qëllimi i teologjisë nuk mund të ishte përjetësimi i mendimeve të studiuesve të mëparshëm, por interpretimi i fesë nga konteksti i saj dhe hapja e perspektivave dhe mundësive të reja për besimtarët.

Me qasjen e tij unike ai arriti – si rrallë ndonjë teolog tjetër islam para tij – të frymëzojë shumë intelektualë për Zotin dhe fenë. Në predikimet e tija epike në xhami ai jepte referenca emrat e filozofëve modern si Immanuel Kant dhe Karl Popper, për të përmendur dy nga filozofët e tij të preferuar. Kjo freski e mendimit, e kombinuar me stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpeshherë të ashpër, por jashtëzakonisht autentik të komunikimit, ndryshuan imazhin e imamit – prijësit të prapambetur të lutjeve muslimane, të kultivuar nga regjimi komunist. Ai nuk ishte mishërim i imamit klasik, i cili duhej të fshihej nga intelektualët e tjerë, që të fsheh mungesën e tij të dijes në fusha të tjera. Ai paraqiste një intelektual musliman krenar, i cili jo vetëm që kishte njohuri të shkëlqyeshme në teologji dhe filozofi, por njëkohësisht ishte akoma i aftë për të menduar më tej dhe për të kritikuar mendimet dhe qasjet e ndryshme.

Përmes kësaj qasjeje të re mbi fenë dhe shkencën, ai arriti t‘i afrojë protagonistët e të dy palëve. Këtë e bëri duke u përqëndruar më tepër drejt gjetjes së pikave të përbashkëta sesa kontradiktave të patejkalueshme mes tyre, siç sugjerohej nga qarqe të cakuara. Me këtë vuri në pah se nuk janë feja dhe shkenca ato që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, përkundrazi, mendimet e protagonistëve të ndryshëm që flasin në emër të fesë dhe të shkencës të cilat paraqesin vetëm dy qasje dhe qëndrime të caktuara, që mund të gjenden në të dy fushat.

Me të njëjtin elan me të cilën luftoi kundër dogmave fetare, ai e kundërshtoi edhe dogmatizimin e shkencës. Ai këshilloi të gjithë ata që dëshirojnë ta shohin shkencën si zëvendësim të fesë, të mos bien në grackat e njëjta si ata që dogmat fetare i shpallën si të vërteta absolute. Në këtë qasje ai e shihte ekzagjerimin e njeriut, i cili nuk është i gatshëm të pranoj se çdo njohuri njerëzore posedon karakter subjektiv dhe si e tillë ka vetëm një vlefshmëri të kufizuar, derisa të hidhet poshtë nga njohuri tjera.

Prof. Galip Veliu, nuk ishte vetëm një mendimtar islam dhe teolog progresist i cili e formësoi diskursin intelektual me pjesëmarrjen e tij aktive. Ai poashtu ishte edhe një person që me të gjitha forcat e tij punoi palodhshëm për të ngritur nivelin individual të arsimit dhe për të implementuar ndryshime shoqërore. Ai ishte i vetëdijshëm se për përparimin e shpresuar do të ishte e nevojshme mbështetja konkrete financiare për të rinjtë, gjë që e nxiti atë të angazhohet për sigurim të bursave studentore për plot 25 vjet me radhë.

Ndershmëria dhe guximi i tij, por edhe përkushtimi i tij i devotshëm për shkencë dhe fe në xhami dhe në universitet, e sollën atë në kontakt me një person me mirëqenie materiale të lartë, që çoi në krijimin e fondacionit për arsim dhe kërkim shkencor “Dituria”. Falë mbështetjes aktive financiare dhe angazhimit të palodhëshëm të Prof. Veliut, fondacioni ka arritur t‘u sigurojë bursa mijëra studentëve gjatë 25 viteve të fundit. Programi i bursave mbështeti studentë nga një spektër i gjërë i fushave studimore, që shtrihej nga shkencat mjeksore, natyrore, të zbatuara dhe ato shoqërore e deri në ato inxhinierike. Përveç bursave të zakonshme për studentët universitar, ai siguroi edhe bursa për studime të nivelit master dhe të doktoraturës, prej të cilave një numër i konsiderueshëm u ishin dedikuar studentëve që phd e tyre i relizonin jashtë vendit.

Përveç faktit se vështirë që ekziston ndonjë fondacion tjetër privat në rajon që investon aq shumë në arsim, ky fondacion karakterizohet mbi të gjitha me faktin se, ndryshe nga disa fondacione të tjera të motivuara fetarisht, ai është i hapur për të gjithë dhe nuk pret ndonjë kompensim nga mbajtësit e bursave të tij. As orientimi ideologjiko-fetar dhe as qëndrimi i tyre ndaj fesë nuk luajnë një rol në dhënien e bursave. Qëllimi i vetëm është përfundimi me sukses i programit akademik dhe dëshira që këta shfrytëzues të bursave pas diplomimit të tyre të angazhohen që studentët e tjerë të fitojnë mundësi të ngjashme dhe kështu niveli i arsimimit në shoqëri të rritet gradualisht.

Tani, ky personalitet i shquar e la qetësisht këtë jetë. Në ambientet e fondacionit të tij të dashur, ai e dha frymën e tij të fundit duke lënë pas veti një shprazëtirë të madhe që vështirë se mund të plotësohet. Por, shpirtrat e mëdhenj nuk vdesin kur ndryshojnë formën e tyre të jetës, ata vazhdojnë të jetojnë derisa zjarri që ndezin vazhdon të digjet, që njerëzit e tjerë të përfitojnë prej tij. Tani është në duart e miqve, kolegëve, studentëve dhe donatorëve që e mbështetën dhe përfituan prej tij për të vazhduar këtë mision. Në fakt, është një detyrim moral të kujdesemi që të ruhen idealet e këtij shpirti bujar. Jo për të bërë homazhe për mendimet dhe pikëpamjet e tij, por për t’i jetësuar ato më tej, sepse idetë dhe traditat nuk jetojnë në atë mënyrë që hiri bartet brez pas brezi, por zjarri.

Allahu xh.sh. e shpërblefte këtë shpirt të madh e mik të dijes dhe urtësisë për kontributin e tij të rëndësishëm në shoqërinë tonë. Atyre që mbetën pas, Zoti ua dhashtë durimin, por mbi të gjitha forcën për të vazhduar në këtë rrugë dhe për të realizuar idealet e tij që ta mbajnë atë të gjallë.

Autor: Univ.-Prof. Dr. Zekirija Sejdini
Perkthim dhe Pershtatje: Admir Huseini