Franca padit nxënësen që akuzoi në mënyrë të rreme drejtorin e shkollës se e goditi për shkak të hixhabit

Kryeministri i Francës ka thënë se një adoleshente do të paditet nga shteti pazi akuzoi në mënyrë të rreme kryemësuesin e saj se e goditi pas një fjalosje që patën lidhur me mbulesën e kokës.

Drejtori këmbëngulte se nxënësit duhet të largojnë shamitë dhe të mos e mbulojnë kokën brenda shkollës, siç edhe parashihet me ligjet në Francë.

Ai dha dorëheqje pas kërcënimeve me vdekje që qarkulluan në rrjetet sociale. Kërcënimi islamik ndaj shkollave franceze është marrë jashtëzakonisht seriozisht që nga vrasja e dy mësuesve.

Samuel Paty-t iu pre koka në rrugë në periferi të Parisit në vitin 2020 dhe Dominique Bernard u vra në shkollën e tij në Arras pesë muaj më parë.

Drejtori i shkollës në Paris, emri i të cilit nuk është bërë publik, njoftoi vendimin e tij në një email dërguar të premten kolegëve në Maurice Ravel Lycée në qarkun 20 të Parisit.

“Më në fund kam marrë vendimin për të lënë funksionet e mia”, shpjegoi ai, “nga shqetësimi për sigurinë time dhe atë të institucionit”.

“Po largohem pas shtatë vitesh, të pasura dhe intensive që i kalova pranë jush dhe pas 45 vitesh në arsimin publik”, ka shkruar ai, duke falënderuar kolegët e tij për mbështetjen që i kanë treguar gjatë tre javëve të fundit.

Në incidentin, i cili ndodhi më 28 shkurt, drejtori u tha tre nxënëseve se duhet t’i binden ligjit duke hequr mbulesat e kokës. Dy u bindën, por i treta jo dhe ndodhi një përplasje.

Në ditët në vijim, drejtori ishte objekt i kërcënimeve me vdekje në rrjetet sociale, të cilat u sinjalizuan nga shkolla në një linjë telefonike të ministrisë së Brendshme.

Prokurorët thanë se dy persona ishin arrestuar në lidhje me kërcënimet me vdekje. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur, por ministria e Arsimit tha se ata nuk kishin asnjë lidhje me shkollën.

Policia u dërgua për të patrulluar rreth shkollës, e cila u vizitua edhe nga ministrja e Arsimit, Nicole Belloubet.

Policët nuk gjetën prova që drejtori e kishte goditur vajzën dhe tani kryeministri Gabriel Attal ka ndërhyrë për të thënë se ajo do të dërgohet në gjykatë për akuza të rreme.

“Shteti… do të qëndrojë gjithmonë me këta zyrtarë, ata që janë në vijën e parë të përballur me këto shkelje të sekularizmit, këto përpjekje të hyrjes islamike në institucionet tona arsimore”, tha ai.