Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.

Osmani e konfirmoi se Macron dhe Scholz kërkuan që Kosova të gjejë mënyra për të mbajtur zgjedhje të reja në veri dhe që serbët të marrin pjesë në to.

“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha ajo, në një konferenë për media, pas takimit me liderët evropianë gjatë pjesëmarrjes në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

Osmani tha po ashtu se u tha liderëve evropianë se procedurat ligjore mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve.

“Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, tha Osmani.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emannuel Macron.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emannuel Macron.

Ndërkohë, Macron gjithashtu tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Osmani shkroi në Twitter se me liderët e Gjermanisë dhe Francës diskutoi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe “përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiq tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve të njëanshme ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me Macronin dhe Scholzin.

Vuçiqi e theksoi edhe rëndësinë që ka themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për të.

Ndësa, Osmani tha se “duhet të sigurohemi që fokusi është në implementimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa pjesë të saj”.

Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku po merr pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Theksova se është me rëndësi prioritare që institucionet në Prishtinë ta ndalojnë dhunën dhe t’i kthehen dialogut”, tha Vuçiqi, pas takimit me Borrellin.

Zyra e Presidencës së Kosovës njoftoi se me Borrellin është takuar edhe Osmani.

Lideri serb po ashtu u shpreh se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në Moldavi.

“Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Pala kosovare nuk e ka konfirmuar se ka refuzuar takimin.

I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiq tha se nuk e di.

Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë./REL