Fraksioni BDI: Me këtë qasje përçarëse epilogu në Kumanovë ishte kasaphane me të vrarë, të plagosur dhe të burgosur!

Fraksioni i BDI-së ka reaguar lidhur me zgjedhjet e brendshme brenda kësaj partie, ku sipas tyre një qasje e tillë përçarëse do të ketë epilog si në Kumanovë.

“Në momente kur familjarë, miq e qytetarë shprehin pa rreshtur shqetësimin e tyre për kërcënimin me jetë që pranuam mbrëmë, e për të cilin veprim e njoftuam edhe opinionin por edhe organet kompetente, ne, si Fraksion brenda BDI-së duam të shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj reagimit të zyrës për informim të BDI-së, që këtë veprim të rëndë, të ulët e të rrezikshëm, e kategorizon si shpifje.

Duam të rikujtojmë edhe një herë, para se të jetë vonë, pikërisht me këtë qasje neglizhuese, shpërfillëse, përçarëse, dy ciklet e fundit të zgjedhjeve të brendshme partiake në degën e Kumanovës kanë epilog me bilans kasaphane me TË VRARË, TË PLAGOSUR DHE TË BURGOSUR.

E sa i takon demokracisë dhe procesit të zgjedhjeve të brendshme, theksojmë se Komisioni Qëndror Zgjedhor i BDI nuk ka kuorum të merr asnjë vendim, sepse nga 7 anëtarë, 4 nuk marrin pjesë. Aq më tepër kur sekretari organizativ Blerim Bexheti injorohet në këtë proces ku ai duhet të jetë bartës.

Ritheksojmë se parimi një anëtar një votë është jostatutar, pra shkel statutin e partisë me dy këmbë. E për ironi të gjithë kësaj situate ku po trumpetohet çdo ditë për demokraci e vlera demokratike, në realitet po shohim që veçmë kryetarët e degëve me dekret po caktohen apriori nga kryetari Ali Ahmeti”, thekson fraksioni i BDI-së.(INA)