Ukraina avancon në frontin lindor, derisa trazirat pasuan në Rusi

Derisa trazirat pasuan në Rusi, në Ukrainë, forcat e Kievit arritën të përparonin përgjatë frontit lindor – sipas ushtrisë ukrainase.

Trupat ukrainase arritën në afërsi të qytetit lindor të Bakhmut – një zonë e marrë nga grupi mercenar Wagner – dhe në një zonë më në jug.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se një ofensivë ishte nisur pranë një grupi fshatrash që rrethojnë qytetin.

“Në të gjitha këto territore, ne kemi bërë përparime”, shkroi Maliar, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.

Oleksandr Tarnavskiy, komandanti i Tavria, ose fronti jugor, tha se forcat ukrainase kishin çliruar një zonë pranë Krasnohorivka, në perëndim të qendrës rajonale të kontrolluar nga Rusia..

Ai tha se zona kishte qenë nën kontrollin rus që kur forcat separatiste të mbështetura nga Moska morën kontrollin e saj në vitin 2014.