Forumi Diplomatik në Antalia, edhe Pacolli në darkën e organizuar nga Erdogan

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Pacolli ka njoftuar se në darkën e organizuar nga Erdogani, kishte liderë nga e gjithë bota.

“Në një darkë me liderë nga e gjithë bota e organizuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, ku patëm mundësinë të diskutonim për sfidat e jashtëzakonshme me të cilat po ballafaqohemi ne dhe mbarë bota. Jam thellësisht i bindur se sfidat e sotshme paraqesin edhe një dritare mundësie për integrim dhe bashkëpunim me aleatët tonë, nëse punojmë me mençuri, pa humbur kohë”, ka shkruar Pacolli sipër fotografisë së shpërndarë me presidentin Erdogan.

Ndyrshe, Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë, opinionbërës dhe akademikë.

Tema e këtij viti e Forumit të Diplomacisë së Antalisë është “Rikodimi i diplomacisë”.

Ky Forum do t`i zhvillojë punimet prej 11 deri më 13 mars dhe do të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 70 shtete. /Telegrafi/