“Forat” e Apasievit për të rritur rejtingun e Bujar Osmanit: Sa me mençuri maqedonasit po i kultivojnë politikanët e dëgjueshëm shqiptarë!

Albert Çejku

Kështu i kultivonte edhe Nikolla Gruevski, duke u përplasur artificialisht me ta para çdo zgjedhjeve. Përplasej, sepse e dinte që në atë mënyrë do të fitojnë më shumë vota tek shqiptarët dhe me komoditet më të madh, pastaj do t’i shërbejnë katër vite politikave të tij antishqiptare.
Të njëjtën gjë po e bën tash Apasievi. I vetëdijshëm për vetveten se është figurë negative tek opinioni shqiptar, Apasievi po e sulmon Bujar Osmanin, me shpresë (të kotë) se në atë mënyrë do t’i shtojë simpatitë për të. Me shpresë se do t’ia shpëtojë karreierën politike, një politikani të cilin nuk po e don më as dega e partisë së tij.
Shihet nga hëna se qëllimi i Apasievit nuk është ta dëmtojë Osmanin, por ta ndihmojë.
Askund nuk i përmend incizimet e El Chekës dhe shkrimet që ngrejnë dyshime se Bujar Osmani ka kërkuar të ndikohet te gjykatat të mos dënohen kriminelë dhe vrasës. E din se nëse ia përmend këto të vërteta, atëherë do ta dëmtojë para gjithë opinionit, edhe atij shqiptar, edhe atij maqedonas.
Mirëpo Apasiev, si një nacionalist i vërtetë maqedonas, nuk e ka këtë qëllim. Ai e sulmon Bujar Osmanin si gjoja faktor që po zhvilluaka negociata me Bullgarinë, dhe shihe ti, për të ndryshyar identitetin e maqedonasve. Me siguri pret që opinioni shqiptar të kalojë në trans dhe pa asnjë rezervë të kthejë simpatitë kah Osmani, i cili po e ndryshuaka identitetin e “armiqve tanë maqedonasve”. Sa keq që nuk e ka të qartë Apasievi se shqiptarët nuk i “hanë” më këto fore. U ka skaduar afati. Janë djegur këto “fore” bashkë me Gruevskin. Nuk ua mbush mendjen dot se një politikan si Osmani, i dëgjueshëm edhe për Gruevskin, edhe për Cërvenkovskin, edhe për Jankullovskën edhe për Mijallkovin, qenka aq faktor, sa po vendoska për identitetin e dikujt.

Le ta shajë ditë e natë Bujar Osmanin, se nuk mund të ja përmirësojë imazhin para shqiptarëve. Atë nuk e don dega e partisë së vet, e do ta duan shqiptarët.
Shqiptarët e kuptojnë Apasievin se për çfar qëllimi mundohet të rrisë rejtingun e Bujar Osmanit. E përkrah në këtë mënyrë, sepse çdo shovinisti maqedonas i konvenon që në qeveri të jenë shqiptarët që nuk bëjnë zë as kur ndodh Sopoti, as Radusha, as Monstra, e as Kumanova. U konvenon që në qeveri të jenë politikanë shqiptarë që mbajnë poste të larta, por nuk u pengon fare që t’u merren ingerencat (si në rastin me Vllado Buçkovskin, që po i merren Osmanit ingerencat për negociata me Bullgarinë). Politikanë shqiptarë që shiten për një tender 400 mijë euro, apo për ca parcela në rrugën e Kaçanikut, të përfituara ilegalisht. Prandaj edhe Apasievi duhet t’i kuptojë shqiptarët se pse urrejnë politikanë të sojit të Osmanit. Kaq ishte kjo kollumnë e imja.