Baktere në ujin e fshatit Izvor! Banorët, vazhdojnë ta konsumojnë

Uji për pije në fshatin Izvor të Kërçovës është me bakterin Entereococcu Faecalis.

Këtë e bëri të ditur para disa ditëve Instituti për shëndet publik pas analizave të bëra.

Në njoftimin e institutit thuhet:

“Nga Instituti për Shëndet Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftojnë se uji i pijshëm në fshatin Izvor të Komunës së Kërçovës është bakterilogjikisht i dëmtuar për shkak të numrit të shtuar të baktereve koliforme dhe pranisë së Enterococcusit , indikator fekal i ndotjes së ujit. Është i nevojshëm dezinfektimi i rregullt i ujit për pije”.

TV21 vizitoi këtë fshat, ndërsa banorët thonë se janë të pa njoftuar për cilësinë e ujit, andaj vazhdojnë ta konsumojnë për pije.

“Siç më njoftoni ju për ujërat, ne përdorim më shumë ujin nga ujësjellësi, nga ujësjellësi I fshatit dhe nga Burimi Treska. Deri më tani askush nuk na ka njoftuar nëse janë të ndotur ose jo”, tha një banor.

“Jo, jo nuk jemi të informuar. (ngjitje) Pimë ujë nga çezma, gjithë kohës edhe në mëngjes mbusha ujë.(ngjitje) Nuk kemi pasur problem deri më tani ka qenë I mirë për pije”, shtoi një tjetër banor.

Uji për pije i kontaminuar me Enterecoccus Fekalis vjen si pasojë e ujërave të zeza që përzihen me ujin për pije. Kjo baktere sipas infektologëve mund të sjellë infeksione uro-gjenitale, infeksione respiratore, endocarditis deri në gjendje septike.