Fjalë lamtumire, Conte projekton largimin e tij nga Interi!

Fjalë lamtumire ato të Antonio Contes në fund të finales së Europa League, ndeshje të cilën Interi i tij e humbi me rezultatin 3-2 ndaj Sevillas. Trajneri puljez në intervistat pas sfidës ka folur pa doreza duke lënë të kuptohet se aventurës së tij te zikaltrit i ka ardhur fundi edhe pse gjithçka do të vendosi me qetësi të plotë në ditët e para të javës së ardhshme. Pasi analizoi ndeshjen ndaj Sevillas, Conte foli edhe për eksperiencën e tij te Interi gjatë këtij sezoni duke vënë në dukje se ai dhe klubi kanë pikëpamje të ndryshme, ndërkohë që theksoi se prioriteti i tij është familja dhe gjatë kësaj periudhe ajo është cënuar.

NDESHJA – “Ishte një ndeshje e vështirë, e balancuar dhe në pjesën e dytë një episod mund ta vendoste. Ne i patëm mundësinë, por e pësuam nga një devijim i pafat i Lukaku. Më pas u bë shumë e vështirë. Kemi keqardhje deri në një farë pike, pasi skuadra dha gjithçka ndaj një ekipi me shumë përvoje në finalet e Europa League, madje duke e fituar shumë herë. Kjo bëri diferencën në fund. Këta djem kanë punuar shumë, janë rritur dhe janë përmirësuar. Shkuan në finalen e Europa League dhe për shumë prej tyre ishte eksperienca e parë në Europë. Të paktën një pjesë e lojtarëve fituan përvojë në Europë. Kjo është e rëndësishme për të shkuar përpara dhe për vetëbesimin e tyre”, u shpreh Conte fillimisht.

E ARDHMJA – “Tani duhet të kthehemi në Milano, të pushojmë 2-3 ditë dhe me qetësi të ulemi e të bisedojmë. Duhet analizuar i gjithë sezoni, kjo është gjëja më e drejtë. Le të shohim gjithçka me qetësi dhe të përpiqemi të planifikojmë të ardhmen e Interit, me apo pa mua. Kemi punuar shumë, ka qenë një sezon i vështirë dhe mendoj se për momentin duhet të pushojmë. Më pas le të përballemi me situata dhe të marrim vendimin më të mirë për Interin. Nuk ka absolutisht hidhërim. Mund të ketë pikëpamje të ndryshme për gjërat, por do të vlerësojmë gjithçka. Për mua ka qenë e mrekullueshme të jem trajner i Interit dhe i falënderoj pronarët që më dhanë mundësinë të kaloj këtë përvojë fantastike. Nëse mund të them një gjë, është se ia ka vlejtur dhe i falënderoj ata që ma dhanë mundësinë e kësaj eksperience. Është thjesht çështje këndvështrimi, për disa situata me të cilat jam përballur dhe nuk më kanë pëlqyer. E them këtë me gjithë respektin që kam për të gjithë. Unë kam një familje dhe më duhet të kuptoj nëse futbolli apo familja janë prioriteti im. Nëse disa situata prekin edhe familjen, kjo nuk mund të pranohet. Çdo gjë ka limit dhe dua të shoh ku janë kufijtë e mi”, shtoi në fund tekniku i Interit.