Furnizuesit, të cilët kanë kontratë të drejtpërdrejtë me ‘Gazprom’ filluan ti të rrisin çmimet me 10 euro, duke inkorporuar taksën e vendosur në Bullgari. Në vend kemi dy furnizues të tillë, njëri është TE-TO dhe tjetri është një kompani në Maqedoni që përdor tërësisht gazin rus. Ata tashmë po bëhen jo konkurruese në tregun vendor duke furnizuar gaz natyror rus, thonë nga Ministria e Ekonomisë. Kreshnik Bekteshi tha se aktualisht nuk do të ketë ndikim në rritje të çmimit të konsumit të brendshëm pasi që kanë të siguruar gjysmën e konsumit vjetor para se të aplikohet taksa e tranzitit të gazit rus që kalon përmes Bullgarisë.
“Sasitë e çliruara janë për gazin e Azerbejxhanit, nga furnizuesi LNG që vijnë nga terminalet e Turqisë dhe Greqisë. Ka gaz që vjen edhe nga SHBA-të dhe burimet tjera, por nuk ka aspak gaz rus që vjen drejt nesh. Nëse lirohen edhe 200 milionë m3 gaz për Maqedoninë do të ketë zero shpenzim të gazit rus dhe kjo do të shkojë në dëm të disa furnizuesve, por do të shkojë në interes të qytetarëve”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.