Filipçe: Respektimi i masave parandaluese është çelësi i kthimit në normalitet

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, tre muaj pas diagnostikimit të rastit të parë me koronavirus në vendin tonë, vlerësoi se epide(MEDIAL) është nën kontroll të plotë dhe se beteja është fituar, por lufta ende vazhdon. Ai potencon se virusi është këtu, por se duhet të mësojmë të jetojmë me të dhe t’i respektojmë masat për mbrojtje – mbajtjen e maskës, distanca fizike.

“Pas tre muajsh jemi në udhëkryq nëse do të vazhdojmë të kthehemi gradualisht në jetën normale, të hapim objektet hotelierike, bizneset, kufijtë dhe në të njëjtën kohë qytetarët të respektojnë të gjitha masat e përcaktuara nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive ose nëse nuk respektohen masat, kjo agoni me virusin të vazhdojë edhe pas disa muajsh për t’u ballafaquar me sfidën sërish të vendosim masa kufizuese”, tha Filipçe.

Ministri potencoi se një pjesë e madhe e qytetarëve i zbatojnë masat për mbrojtje, por ato, janë viktima të atyre që nuk i respektojnë masat.

“Ne praktikisht kemi punuar dhe po ballafaqohemi me koronavirusin tre muaj. Kemi thënë disa herë që beteja e parë është fituar. Por lufta vazhdon ende. Fakti është se virusi nuk do të largohet, ai do të jetë këtu. Do të duhet të mësojmë të jetojmë me të. Ata e bëjnë atë në të gjitha vendet. Sidoqoftë, duhet të mbrohemi. Prandaj, heqja dhe lirimi i masave, shkon së bashku me paketën e ashtuquajtur masa të lehtësuara, të cilat janë detyrimisht të mbani maskë, duke mbajtur distancë fizike dhe larje të shpeshtë dhe dezinfektim të duarve”, tha Filipçe.

“Një numër i madh qytetarësh tregojnë vetëdije, u përmbahen masave. Por për fat të keq një numër i mirë i qytetarëve nuk e bëjnë këtë. Madje disa nuk besojnë në ekzistimin e virusit”. tha ai.

Filipçe potencoi se të gjitha masat sillen në bazë të shkencës dhe numrave, e jo të paramjeksisë, siç shkruajnë disa media.

“Këto janë masat që po merren në të gjithë botën. Ne vazhdojmë me këto masa dhe ky është çelësi për të sjellë gradualisht jetën në normalitet. Gjatë periudhës së kaluar, kemi pasur kohë të mjaftueshme për të përforcuar sistemin shëndetësor, për të blerë pajisje të mjaftueshme, për të blerë mjaft materiale mbrojtëse. Për të fituar njohuri mjekët, infermierët për sëmundje me të cilën askush nuk ka përjetuar më parë. Ne nuk e dimë se cili do të jetë manifestimi, cili do të jetë vijimi i sëmundjes. Por tani janë fituar përvojë dhe njohuri”, tha Filipçe, i cili theksoi se e gjithë kjo është në drejtim të një trajtimi më cilësor të pacientëve.

Sipas tij, jemi tërësisht të gatshëm të ballafaqohemi me situatën. Në këtë moment epidemia është nën kontroll të plotë, nënvizoi ministri.

Ai shtoi se ana e mirë është ajo që nuk punojnë shkollat dhe kopshtet për fëmijë dhe që kufijtë janë të mbyllur.

“Është e qartë se virusi është këtu. Me siguri do të presim vaksinën, si dhe tërë bota, dhe përfitimin e imunitetit kolektiv. Por kjo mbetet akoma larg. Një pjesë e madhe e luftës kundër virusit bie mbi qytetarët. Respektimi i masave të mbrojtjes. Dua që çdo qytetar të ketë të qartë se të gjithë jemi përgjegjës për shëndetin tonë, duke mbrojtur kështu shëndetin e të dashurve tanë dhe shëndetin kolektiv. Vetëm duke iu përmbajtur masave, ne do t’i japim fund përhapjes së virusit.