Fenerbahce po mendon tërheqjen nga garat pas skenave të turpshme në Trabzon, sot merret vendimi nga bordi i klubit

Ngjarjet e dhunës që kanë ndodhur të dielën mbrëma në Trabzon kanë bërë bujë të madhe në gjithë botën.

Fenerbahce ka marrë fitore të madhe 2-3 në sfidën ndaj Trabzonsporit, por pas ndeshjes tifozët vendas pushtuan fushën duke goditur futbollistët e skuadrës nga Stambolli.

Gjiganti turk ka njoftuar se një nga pikat e rendit të ditës është edhe tërheqja nga garat për këtë edicion.

“Vlerësimi i veprimeve që duhen ndërmarrë, përfshirë tërheqjen e ekipit tonë të futbollit nga Superliga, bazuar në ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e luajtur natën e 17 marsit dhe ngjarjet e fundit në futbollin turk”, thuhet në njoftimin e Fenerbahces.

Dhunën e ndodhur në Trabzon të Turqisë e ka dënuar edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ndërkohë se mund të tërhiqen nga garat e ka konfirmuar edhe trajneri i Fenerit, Ismail Kartal si dhe presidenti Ali Koç.

Kur kanë kaluar 30 ndeshje në Superligën e Turqisë, Galatasaray është lider me 81 pikë, dy më shumë se Fenerbahce në pozitën e dytë.