Pasi siguroi titullin kampion pas dy dekadave pritje, tani FC Shkupi do të fokusohet ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Por a do të ketë mundësi që skuadra blu ndeshjet evropiane të zhvillohen në stadiumin e Çairit?
Drejtori sportiv Omer Bunjaku thotë se për këtë do të vendosin inspektorët e UEFA-s.
“Po presim në ditët në vijim të kemi një inspeksion prej Uefa-s dhe ndeshjet e Evropës t’i zhvillojmë këtu në Çair, dhe siç e çka edhe më herët duam të jemi shumë konkurrent dhe pse jo të bëjmë çudira edhe në Evropë”, tha Bunjaku.
Ekipi nga Çairi dikur si Slloga Jugomagnat ka luajtur tre herë rresht në Ligën e Kampionëve, ndërsa tani për herë të parë do të luan tani nën emrin e FC Shkupit.
Për dallim nga vitet tjera tani Shkupin e presin më së paku 4 ndeshje evropiane. Eliminimi nga Liga e kampionëve ekipin e dërgon në Ligën e Konferencës.
Për shkak të koeficientit të ulët, Shkupi nuk do të jetë bartës gjatë shortit, ndërsa për momentin aty janë Klasvik nga ishujt Fare, Tobol, nga Kazakistani, Riga nga Lituania, Dinamo Batumi nga Gjeorgjia si dhe kampionët e shteteve si Shqipëria, Kosova, Polonia dhe Malta.
Shorti për xhiron e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve është caktuar për më 14 qershor. Ndeshjet e para zhvillohen më 5 dhe 6 korrik, ndërsa revanshet më 12 dhe 13 korrik.
Ndryshe dje FC Shkupi matematikisht siguroi titullin kampion në LPFM, ndërsa sipas renditjes se tabelës së klasifikimit në Evropë pritet të luajnë edhe Akademija Pandev dhe Shkëndija.






