Ministria e Drejtësisë nuk e bën publike dokumentacionin për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria

Ministria e Drejtësisë nuk e bën publike përmbajtjen e dokumentacionit me të cilin duhet të kërkohet ekstradimi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Hungaria. Nga ky institucion për momentin nuk ka përgjigje as se kur do të kërkohet ekstradimi i Gruevskit. Ata thonë se po presin që institucionet përkatëse t’u dorëzojnë dosjet për rastet që lidhen me ish-kryeministrin, edhe pse më herët ishte kërkuar ekstradimi i tij nga Hungaria.

“Ministria e Drejtësisë njoftoi se nga gjykatat dhe prokuroritë përkatëse do të kërkohen materialet e nevojshme për të gjitha rastet që lidhen me Nikolla Gruevskin”, deklaruan nga Ministria e Drejtësisë.

– Po kërkohen materialet e nevojshme për të gjitha rastet që lidhen me Nikolla Gruevskin

Për Gruevskin, Ministria e Drejtësisë ka dërguar dy herë kërkesë për ekstradim nga Hungaria. Është kërkuar ekstradim për të gjitha rastet që janë zhvilluar para organeve të drejtësisë në Maqedoni. Herën e parë kërkesa është dërguar në nëntor të vitit 2018, ndërsa herën e dytë gjatë vitit 2019”.

“Republika e Hungarisë e refuzoi kërkesën për ekstradim më 05.08.2019, me arsyetimin se Nikolla Gruevskit i është dhënë azil sipas legjislacionit të tyre, i cili nuk lejon dorëzimin e një personi që gëzon status të tillë te shteti nga i cili ka ikur”, theksuan nga Ministria e Drejtësisë.

– Republika e Hungarisë e refuzoi kërkesën për ekstradim të Gruevskit sepse atij i ishte dhënë azil

Ekstradimi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski është rikthyer në vëmendje pasi në zgjedhjet parlamentare në Hungari fitoi partia e Peter Magjar, i cili deklaroi se vendi i tij nuk do të ketë më kriminelë të huaj që kanë marrë azil, duke përmendur edhe ish-kryeministrin Gruevski./Alsat.mk.