Deponia e egër në qytetin e Kërçovës vazhdon të mbetet në të njëjtin vend, edhe pse gjatë fushatës parazgjedhore, Aleksandër Jovanovski e kishte renditur ndër tri projektet prioritare për dislokimin e saj nga qyteti.
Gjatë fushatës, ai e përsëriti disa herë këtë premtim në media të ndryshme, duke deklaruar se deponia do të largohej plotësisht brenda tre muajve të parë të mandatit, madje duke theksuar se projekti për këtë tashmë ishte i përgatitur.
“Një stacion ngarkim shkarkimi për mbeturina e kemi në qendër të qytetit dhe në këtë pjesë popullata po helmohet jo vetëm nga era por edhe nga kimikalet nga alergjitë. Kështu që top projekt e kam atë që ta largoj nga aty, kam zgjidhje kemi projekt të punuar dhe e dimë se ku do ta dislokojmë për ti liruar qytetarët nga efektet toksike”, tha Aleksandër Jovanovski- kandidat për Kërçovën (29.10.2025).
Por, edhe pse kanë kaluar gati pesë muaj, deponia vazhdon të mbetet në të njëjtin vend dhe ende nuk është bërë publik asnjë projekt konkret, ashtu siç premtoi kryetari i Komunës, Aleksandër Jovanovski. Aktualisht, mbeturinat vetëm po transportohen dhe dërgohen në deponinë Rusino.
“Sa u takon mbeturinave kemi bërë një marrëveshje dhe momentalisht mbeturinat në atë deponi të egër që gjendjet në qytet 2/3 e kemi pastruar me ata mjete që i kemi sepse duhet të paguajmë transportin për deponinë regjionale në Gostivar nuk mundemi të hedhim mbeturina në vend tjetër ndërsa këtu aq më pak. Por për fat të keq kapaciteti por edhe qytetarët bëjnë edhe më shumë mbeturina nga 84 ton deri në 100 ton në ditë mbeturina mblidhen nga qyteti kështu që me të gjitha kapacitetet e mundshme e dërgojmë në Gostivar megjithatë mendoj se nuk është mjaftueshëm”, u shpreh Aleksandër jovanovski- kandidat për Kërçovën (29.10.2025).
Një nga tre projektet kryesore të kryetarit të Komunës së Kërçovës ishte edhe trajtimi i qenve endacakë, përmes ndërtimit të një strehimoreje për ta. Megjithatë, edhe për këtë projekt ende nuk ka një zgjidhje konkrete./TV21





