Fashizoizmi si mjet shprehës i gazetarisë tonë sot

Arbër Çeliku

 

Në një amulli kushtetuese-juridike, siç janë vendet tona, do të vazhdojnë të ndodhin gjëra aq absurde, sa faturën në fund do ta paguajë çdo qytetar… Kjo amulli kushtetuese-juridike i krijon hapësirë për prominencë turlifarë abdalli, injoranti, idioti, matrapazi dhe askush nuk e vret kokën, se sa kësisoj mund të cenohet dinjiteti njerëzor. Ndarja në dy tabore sot me rastin e sulmit fizik ndaj një palo gazetari, i cili pa pikën e ndërgjegjes, turpit, etikës dhe profesionalizmit, në vazhdimësi jep deklarata fashiste, në ata që e mbrojnë (kryesisht gazetarë) dhe ata që e shajnë (opinioni publik), e nxjerr edhe më shumë në pah këtë amulli kushtetuese-juridike tonën. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë dhe paragjykojë format e jetesës individuale, aq më pak një palo gazetar, i cili përzgjedh fashizoizmin për të arritur deri te prominenca, si rrjedhojë, në kësi rastesh, prokuroria e shtetit duhej ta bënte detyrën e vet, që këtë palo gazetar (dhe shumë sosh si ky, të cilët në kohën e antivlerës po mbijnë si këpudhat pas shiut) ta fitonin dënimin e merituar. Amullia kushtetuese-juridike nuk përfundon këtu, por e detyron qytetarin e rëndomtë ta vejë në vend drejtësinë e munguar dhe cenimin e nderit, i shenjtë për këdo. Sa për gazetarët dhe shoqatat e tyre që sot luajnë rolin e viktimës, shtrohet pyetja: Përse nuk e thanë asnjë fjalë të vetme, kur kolegu i tyre sharlatan përzgjodhi fashizoizmin si mjet shprehës të gazetarisë?!