Faqebardhë në Nju Jork, faqezi në Uashington?

Shkruan: Arbër Zaimi

Rama tregoi në javën e shkuar aftësi prej showman-i në Nju Jork, në OKB. Këto na bëjnë krenarë, sepse gjithë bota e përmend për mirë Shqipërinë kur vjen puna te ca yje të spektaklit. Të tillët edhe pse nuk flasin apo nuk këndojnë shqip apo për hallet e Shqipërisë e të shqiptarëve, ndikojnë sado kudo për mirë në reputacionin e kombit.

Nga ana tjetër, në po këtë javë, në Gjykatën Federale në Uashington, Edi Rama po përmendet shpesh si kryeministër i Shqipërisë që është afruar e miqësuar në rrethana të dyshimta me Charles McGonigal, një ish-shef të FBI-së që po akuzohet se ka përdorur pozitën zyrtare në mënyrë korruptive. Këto gjëra na shkaktojnë të kundërtën e krenarisë, dhe e çojnë emrin e Shqipërisë si shtet e si popull në disa kthina erërënda.

Dikush mund të thotë se janë dy faqe të së njëjtës monedhë, por mua kjo e poshtmja po më duket sikur peshon më shumë.

Njëqind herë më mirë Begaj, pa ndonjë showmanship të spikatur, por që megjithatë e përdori skenën e OKB-së për të vënë në dukje shkeljet sistematike e skandaloze të të drejtave të shqiptarëve në Serbi, se sa Rama që një herë na bën krenarë me batuta prej lideri global kundër Rusisë, pastaj na shpie në gjyqe amerikane ku Shqipëria përmendet si vend i korruptuar, me drejtues banalë institucionesh, që burimet e naftës i akordon me allishverishe, jo për të mirën e popullit por për interesin e ngushtë të pushtetit.

*Status facebook-u i Arbër Zaimi