KFOR-i i gatshëm të reagojë në veri, nëse kërkohet

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri dhe e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të këtij institucioni.

Për pasojë, një zyrtar policor është vrarë dhe dy tjerë janë plagosur.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë prej afër situatën në Banjskë, dhe trupat e KFOR-it janë prezentë në këtë zonë, të gatshëm të reagojnë, nëse kërkohet.

Komandanti i KFOR-ut është në kontakt direkt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për ta gjetur një zgjidhje”, është thënë në deklaratë.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”./REL