Fanella të falsifikuara me vlerë prej 21 milionë euro janë sekuestruar gjatë Botërorit

Fanella të falsifikuara të futbollit me vlerë prej 18 milionë funte, përkatësisht 21,19 milionë euro, janë sekuestruar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë Kupës së Botës për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Kështu ka njoftuar të martën BBC.

Botërori solli rritje të shitjes së fanellave dhe uniformave të falsifikuara, por autoritetet kanë paralajmëruar se këta artikuj janë shumë më të ndezshëm dhe më të rrezikshëm se artikujt origjinalë.

Më shumë se 220 mijë artikuj futbolli u sekuestruan nga Zyra e Pronësisë Intelektuale e Policisë së Mbretërisë së Bashkuar. Përmes një aksioni, policia në Mbretërinë e Bashkuar synonte mallrat e falsifikuara.

Vetëm në një depo në Birmingham u morën 1618 fanella të falsifikuara, shkruan mediumi i njohur. Kryesisht ishin fanella të yjeve si Kylian Mbappe e Erlingg Haaland.

Ato blihen edhe me 12 funte, ndërkohë që fanellat zyrtare të klubeve të Premier Leagues kanë çmim prej të paktën 85 funte.