Familjarët e djemve të vrarë: Cilat shërbime sekrete janë përfshirë në rastin “Monstra”?!

Familjarët e djemve të vrarë pyesin Zaevit për deklarimet e tij që kishte thënë për një media serbe se në këtë rast janë të përfshirë shërbime sekrete të huaja. Por Zaev, mohon të ketë thënë kështu, ai thotë se deklaratë të tillë ka dhënë për rastin “Lagja e Trimave”.
“Nuk mund të them emra dhe mbiemra të personave të shërbimeve sekrete të huaj të përfshirë sepse nuk njoh persona dhe nuk kam informacione për persona që janë të përfshirë. Kam thënë për rastin ‘Lagja e Trimave’, por për rastin ‘Monstra’ nuk kam përmendur”, ka deklaruar Zaev, raporton SHENJA.
Ndërkaq, ata këmbëngulin se kështu ka thënë për “Monstrën” edhe atë jo vetëm një por disa herë.
Njëri prej prindërve të djemve të vrarë e kujton Zoran Zaev, se në njërin prej takimeve që i kanë realizuar, ai u ka thënë se 6 numra telefoni janë sekret shtetëror, tani pyet se kush janë ato.
“Nuk më kujtohet të kem thënë 6 numra telefoni, por gjithsesi. Ato janë me siguri mbrojtje të personave, sepse paraqesin sekret shtetëror. Ju mund ti merrni ato numra telefoni dhe ti vërtetoni se të kujt janë”.
Më herët Zaev tregoi se kanë realizuar disa takime me familjarët e djemve të vrarë, sepse siç tha e ka respektuar atë që familjarët kanë dashur të dijnë më shumë informacione për këtë rast. Ai tha se ju ka treguar pjesë të bisedave, por asnjëherë nuk u ka dhënë kopje të atyre provave.