Europa feston në heshtje natën e ndërrimit të viteve

100 mijë policë dhe pjesëtarë të xhandarmërisë franceze do të jenë në gadishmëri natën e ndërrimit të viteve, për të ndaluar organizimin e festave dhe për të garantuar zbatimin e shtetrrethimit.

Forcat shtesë të sigurisë do të parandalojnë akte si djegia e makinave, që ndodhin zakonisht në natën e fundit të vitit. Franca ka bilancin e 5 më të rëndë në botë nga Covid-19, me 2.6 milionë raste në total dhe mbi 64 mijë viktima.

Si në shumë vende të tjera të Europës, edhe në Francë festimet në vigjilje të vitit të ri do të jenë të heshtura, mes frikës së përhapjes së pandemisë. Forcat e sigurisë do të pozicionohen në qendrat e qyteteve dhe në periferitë kryesore nga ora 20:00 e mbrëmjes, kur fillon edhe shtetrrethimi.

Në Paris, gjysma e linjave të metrove do të jenë të mbyllura, gjithashtu po konsiderohet kufizimi i mjeteve të tjera të transportit publik. Të gjithë ata që do të kapen duke shkelur rregullat do të gjobiten.

E gjithë Skocia kontinentale ka qenë nën masa të rrepta që nga 26 dhjetori, për të paktën edhe tre javë. Njerëzve u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi në prag të Vitit të Ri.

Irlanda do të shtrengojë kufizimet të enjten, duke ndaluar të gjitha vizitat në familje, duke mbyllur të gjitha shitjet me pakicë jo-thelbësore dhe duke kufizuar udhëtimet në 5 km.

Ndërkaq, në Britaninë e Madhe kryeministri Boris Johnson njoftoi se 20 milionë njerëz të tjerë do të përfshihen në kategorinë e kufizimeve nga e enjtja, për shkak të përhapjes së pakontrollueshme të variantit të ri të koronavirusit.

Në Gjermani, ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se kjo pritet të jetë nata më e heshtur e ndërrimit të viteve, ndërsa autoritetet kanë ndaluar fishekzjarrët dhe kanë kufizuar numrin e personave që mund të grumbullohen në publik.

Holanda, e cila do të jetë në izolim deri në 19 janar, do të presë 2021-shin me ceremoni me dyer të mbyllura në stadiumin e futbollit në Amsterdam. Turqia nis sot izolimin 4 ditor.