Një grua nga Rosomani është viktima e 11-të e etheve të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i vitit, njofton Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).
Sipas raportit të fundit javor, deri më 13 tetor janë regjistruar gjithsej 71 raste të infektimit, prej të cilave 66 janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa pesë konsiderohen raste të mundshme.
Gjatë periudhës 7–13 tetor nuk janë regjistruar infektime të reja, por është raportuar vdekja e një pacienteje nga Rosomani, e cila ishte infektuar më herët.
Nga 11 viktimat, dhjetë janë burra dhe një grua, me moshë mesatare 71 vjeç. Viktima më e re ishte 62 vjeç, ndërsa më e moshuara 83 vjeç. Dhjetë prej tyre kishin edhe sëmundje të tjera kronike.
Të gjitha viktimat kishin zhvilluar formën e rëndë neuroinvazive të sëmundjes. Nëntë ishin nga Shkupi, një nga Kumanova dhe një nga Rosomani.
Shkupi, rajoni më i prekur
Nga numri i përgjithshëm i të infektuarve, 63 raste, ose rreth 89 për qind, janë regjistruar në rajonin e Shkupit.
Tri raste janë evidentuar në Veles dhe Çashkë, dy në rajonin e Kavadarit, ndërsa nga një rast në Kumanovë, Sveti Nikollë dhe Tetovë.
Për shkak të përhapjes së sëmundjes, më 11 gusht Qendra e Shëndetit Publik në Shkup shpalli epidemi në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel.





