Këshilli i Evropës paralajmëron: Fushata zgjedhore në Serbi është thellësisht e polarizuar, rrezikohen kushtet e barabarta

Fushata zgjedhore në Serbi po zhvillohet në një atmosferë politike thellësisht të polarizuar, e cila mund të rrezikojë kushtet e barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, raporton 4news.mk.

Ky është vlerësimi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), pas vizitës dyditore në Beograd, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 25 tetor.

Delegacioni, i kryesuar nga parlamentari italian Piero Fassino, qëndroi në kryeqytetin serb më 12 dhe 13 tetor, ku zhvilloi takime me përfaqësues të pushtetit, opozitës, institucioneve zgjedhore, shoqërisë civile dhe mediave.

Në komunikatën e publikuar më 14 tetor thuhet se delegacioni ka marrë informacione të shumta për kushte të pabarabarta gjatë fushatës zgjedhore, si dhe për një prani dukshëm më të madhe mediatike në favor të partisë në pushtet.

Gjithashtu, janë ngritur shqetësime për keqpërdorime të mundshme të burimeve administrative, presione ndaj votuesve dhe mungesë efikasiteti të institucioneve në trajtimin e denoncimeve për shkelje të lirive themelore.

Përfaqësuesit evropianë kanë evidentuar edhe probleme lidhur me saktësinë e listave zgjedhore dhe organizimin e votimit jashtë vendit, çështje që, sipas disa bashkëbiseduesve, ngrenë dyshime për manipulime të mundshme zgjedhore.

Në raport përmenden gjithashtu raste të retorikës armiqësore ndaj aktivistëve opozitarë, përfaqësuesve të organizatave qytetare dhe gazetarëve, si dhe pretendime për mbikëqyrje dhe shqetësime për sigurinë e votuesve dhe vëzhguesve.

Për shkak të kësaj situate, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë partitë në pushtet, lëvizjet opozitare dhe organizatat qytetare, të përmbahen nga retorika provokuese, frikësimi dhe veprimet që mund të rrezikojnë zhvillimin paqësor dhe demokratik të zgjedhjeve.

Një paralajmërim i veçantë u është drejtuar institucioneve të sigurisë, nga të cilat kërkohet të shmangin përdorimin e forcës dhe kufizimet e pajustifikuara të së drejtës për tubim paqësor, të garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Delegacioni pret që autoritetet të sigurojnë një atmosferë të qetë gjatë pjesës së mbetur të fushatës, si dhe qasje të papenguar për vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Në vlerësim theksohet se ndryshimet e katër ligjeve zgjedhore, të miratuara në maj të këtij viti, nuk i kanë përmbushur plotësisht rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, megjithëse kanë sjellë disa përmirësime.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka paralajmëruar se më 25 tetor do të dërgojë një mision të plotë vëzhgues, i cili, së bashku me ODIHR-in, Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe Parlamentin Evropian, do të monitorojë votimin dhe numërimin e votave.