Erdogani i thotë Putinit se do të angazhohet për mbarimin e luftës në Ukrainë

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i tha presidentit rus, Vladimir Putini të enjten (28 prill) se Ankaraja është e gatshme të bënte më shumë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pasi ndihmoi në organizimin e një shkëmbimi të të burgosurve ruso-amerikanë.

Zyra e Erdoganit tha se Putini e “falenderoi” liderin turk në një telefonatë për ndihmën për të bërë shkëmbimin e ish-marinsit, Trevor Reed për ish-pilotin rus, Konstantin Yaroshenko.

Shkëmbimi u zhvillua në Turqi “nën koordinimin dhe mbikëqyrjen e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës”, tha zyra e Erdoganit.

Ankaraja tha se tani është “gati për të marrë iniciativën për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe për të ndërmjetësuar një rrugë drejt paqes”.

Kremlini konfirmoi se Putini “i shprehu mirënjohjen e tij liderit turk” për ndihmën në shkëmbimin historik të 30-vjeçarit amerikan me 53-vjeçarin rus.

Reed u burgos në Rusi në vitin 2020 dhe u dënua me nëntë vjet burg për sulmin e dyshuar ndaj oficerëve të policisë në gjendje të dehur.

Yaroshenko ka vuajtur një dënim 20-vjeçar që nga viti 2011, pasi u dënua për kontrabandë droge.

Roli i Turqisë në shkëmbim thekson aftësinë e anëtarit të NATO-s për të mbajtur një dialog të hapur me Moskën në mesin ee krizës në Ukrainë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, të mërkurën tha gjithashtu se Uashingtoni ishte “mirënjohës ndaj Turqisë për rolin e saj në kthimin e sigurt të amerikanit Reed”.

Turqia priti një takim midis negociatorëve të Moskës dhe Kievit në Stamboll dhe një tjetër midis ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba në Antalia muajin e kaluar.

Erdogan tani po përpiqet të hapë rrugën për një samit të Stambollit midis Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai i tha Putinit të enjten se Turqia dëshiron “të vendosë një paqe të qëndrueshme në rajon sa më shpejt të jetë e mundur duke rritur vrullin e fituar në bisedimet e Stambollit “, tha zyra e tij.

Kremlini tha vetëm se Putin dhe Erdogan ranë dakord të mbanin “kontakte të mëtutjeshme”.