Erdogan: Nuk ka dallim midis pamjeve në kufirin e Greqisë dhe asaj që bënë nazistët

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar ditën e sotme se vendi i tij do të vazhdojë të mbajë kufirin e hapur për të gjithë emigrantët që duan të shkojnë drejt vendeve të BE.

Sipas tij, kjo situatë do të vazhdojë derisa Bashkimi Evropian të përmbushë pritshmëritë e Ankarasë për zbatimin e marrëveshjse së emigracionit të vitit 2016.

Dhjetëra mijëra emigrantë janë përpjekur të hyjnë në Greqi pasi më 28 shkurt Erdogan tha se nuk do t’i mbante ata më në Turqi ashtu siç u ra dakord në marrëveshjen me Brukselin në këmbim të ndihmës së BE për refugjatët, shkruan Reuters.

Greqia ka përdorur gaz lotësjellës dhe topa uji për të parandaluar emigrantët të kalojnë kufirin dhe Erdogan dënoi veprimet e forcave greke të sigurisë pasi tregoi një video të skenave në kufi ndërsa ai mbajti një fjalim para ligjvënësve të partisë së tij në parlament.

“Nuk ka dallim midis atyre pamjeve në kufirin e Greqisë dhe asaj që bënë nazistët,” tha ai.

Greqia ka hedhur poshtë akuzat turke se forcat e saj kanë hapur zjarr dhe vranë disa emigrantë në kufi, duke akuzuar Ankaranë për përhapjen e lajmeve të rreme.

“Derisa të gjitha pritjet të përmbushen në një mënyrë konkrete, ne do të vazhdojmë praktikën tonë të tanishme në kufijtë tanë,” u shpreh Erdogan.

Ai tha se Turqia do të paraqesë propozime BE-së. Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë janë vendosur të takohen me Erdoganin në Turqi javën tjetër, si pjesë e përpjekjeve për të zgjidhur krizën.