Epokat e Mid’hat Frashërit (1880-1949)

Mid’hat Frashëri do të marrë pjesë edhe në Kongresin Kombëtar të Manastirit, që u mbajt në nëntor të vitit 1908. Aty u zgjodh kryetar i Kongresit. Për zhvillimet në Kongresin e Manastirit ai do të botojë artikuj të veçantë në gazetën “Lirija” dhe në revistën “Diturija”, të cilat i drejtonte vetë. Mid’hati do të marrë nismën për thirrjen e Kongresit Arsimor të Elbasanit (1909).

Shkruan: Besnik EMINI, Tetovë

Të shkruash për Mid’hat Frashërin është një punë sa e lehtë, po aq edhe e vështirë. E lehtë për shkak si ai ka lënë një krijimtari të pasur në letrat shqipe, ndërsa e vështirë për shkak se shumë gjëra mbeten të pathëna brenda një teksti modest.

Mid’hat Frashëri lindi në Janinë në një 25 mars 1880, në një familje që kishte një aktivitet të jashtëzakonshëm kulturor e politik. Në shkrimet e tija ai ka shënuar: ”Që në fëmijërinë time, që kurse mbaj mend, kam dëgjuar në shpi fjalë për Shqipërinë, dua të them bisedime mbi të drejtat e saj, fjalime që dilnin nga parimi i kultit të mëmëdheut, që buronin nga dashuria për Shqipërinë dhe nga detyrat e çdo shqiptari për truallin e vet. Këto i dëgjova për të parën herë kur fillova të flas, ahere, që qeshë dy vjeç në Frashër, më vonë në Janinë, nga nëna ime dhe nga gjyshi, kur bëhej fjalë për tim atë që gjendej burgjeve të Prizrenit. Kur vamë në Stamboll, kjo mënyrë kuvendimi për Shqipërinë vazhdoi prej ungjërve të mi, Naimit e Samiut që flisnin përpara meje me miqtë.. Mbaj mend Jani Vreton, Pandeli Sotirin, ose në mes tyre nënën time”. Rininë e tij Mid’hati do ta kalojë në Stamboll. Ai do t’i thellojë njohuritë e tij nga babai i tij, Abdyli, dhe nga xhaxhallarët, Naimi dhe Samiu, por edhe nga përpjekjet e tij të mëdha për t’u pajisur me dije dhe për të mësuar gjuhë të huaja. Pjesën më të madhe të librave të familjes së tij, të futur në 40 arka, Mid’hat do t’i sjellë në Berat, por të cilat u dogjën në vitin 1917. Mjaft të dhëna për jetën Abdylit, Samiut, Naimit, si dhe Mehmet Frashërit kuptojmë nga kujtimet e Mid’hatit, të shënuara nëpër shkrimet e ndryshme. Mehmeti ishte vëllai më i vogël i vëllezërve Frashëri dhe i vetmi prej tyre që do të shihte shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Mid’hati, qëkur ishte 15-16 vjeç, kishte letërkëmbim me disa nga personalitetet më të njohura të kolonive shqiptare që vepronin në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali, Amerikë e gjetiu. Ai që në moshë të re do ta themelojë bibliotekën “Lumo Skendo”, e cila vazhdimisht do të pasurohej me tituj të ndryshëm e të rrallë. Që në moshën 18-vjeçare do të nisë t’i botojë rregullisht shkrimet e tij në revistën “Ditërëfenjësi” (1897-1928), të cilën e botonin Kristo Luarasi dhe K. I. Trebicka, e cila shtypej në shtypshkronjën “Mbrothësia” në Sofje. Një seri shkrimesh me një spektër të gjerë temash do t’i botojë te “Kalendari Kombiar”, që gjithashtu botohej në Sofje. Në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit do të shtypen edhe veprat e para të Mid’hat Frashërit, ku u botua libri i parë i tij, “Naim Be Frashëri”, me pseudonimin Mali Kokojka. Më pas do të botojë një sërë veprash për shkollat shqipe me pseudonimin Lumo Skëndo. Në vitin 1905 do të zhvendoset nga Stambolli në Selanik, si nëpunës i Perandorisë Osmane. Në Selanik, në vitin 1908, do ta themelojë Klubin e Selanikut, ku hapi një shkollë shqipe për fëmijë, shkollë nate për të rritur dhe një bibliotekë ku kishte libra të ndryshëm që botoheshin nëpër kolonitë shqiptare. Në Selanik do ta botojë edhe gazetën “Lirija”, që filloi të dalë nga viti 1908.

Mid’hat Frashëri do të marrë pjesë edhe në Kongresin Kombëtar të Manastirit, që u mbajt në nëntor të vitit 1908. Aty u zgjodh kryetar i Kongresit. Për zhvillimet në Kongresin e Manastirit ai do të botojë artikuj të veçantë në gazetën “Lirija” dhe në revistën “Diturija”, të cilat i drejtonte vetë. Mid’hati do të marrë nismën edhe për thirrjen e Kongresit Arsimor të Elbasanit (1909).

Për sa i përket statusit politik të Shqipërisë, ai mendonte që ajo së pari të fitonte autonominë, që do të ishte hapi i parë në rrugëtimin drejt pavarësisë. Mes vitit 1909-1910 ai do udhëtojë nëpër viset shqiptare, ndërsa përshtypjet e këtij udhëtimi do t’i shënojë në ditarin e tij “Gjashtë muaj në Shqipëri”. Më pas Mid’hat Frashëri do të mbante edhe një ditar nga udhëtimet e viteve 1912-1914, të përfunduar në Sofje. Brenda këtyre viteve ai do të përshkruaj edhe pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e Shkupit më 14 tetor 1912 bashkë me Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën dhe Salih Gjukën.

Mid’hat Frashëri do të marrë pjesë në mbledhjen e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të jetë edhe nënshkrues i aktit të pavarësisë, madje do të zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Për shkak se nuk pajtohej me disa qëndrime të qeverisë, më 30 mars 1913 dha dorëheqje nga posti i ministrit. Në vitet 1913-1915 do të shkruajë artikuj për gazetën “Liri e Shqipërisë”, të cilën e botonte në Sofje Kristo Luarasi. Në Sofje do të botojë disa libra, si përmbledhjen me skica, tregime dhe novela “Hi dhe shpuzë”, si dhe esetë “Pritmi i Shqipërisë”, “Popullsia e Epirit”, “Çështja e Epirit” etj. Gazeta “L’independance Albanaise” ishte një gazetë tjetër ku Mid’hati botoi artikujt. Gazetën që botohej në gjuhën frënge e përgatisnin për botim Kristo Luarasi dhe Mid’hat Frashëri, madje ky i fundit ishte edhe kryeredaktor. Në fillim doli në Sofje (1915), ndërsa më pas në Bukuresht (1916). Ai do të mbajë një ditar edhe për vitet që ishte i internuar në Zall të Prutit në Moldavi, në periudhën 16 shtator 1916-30 maj 1918, ku do të takohej me Ibrahim Temon. Aty, bashkë me të internuarit e tjerë, ishin edhe rreth 150 të internuar shqiptarë. Pas lirimit nga internimi, ai do të bëjë kërkime pranë Bibliotekës Akademike të Rumanisë për historikun e Kolonisë Shqiptare dhe më pas e botoi monografinë “Veprimtaria e shqiptarëve në Rumani, qysh nga viti 1881”.

Mid’hat Frashëri do të ketë një letërkëmbim mjaft të ngjeshur me shumë personalitete të kohës. Nëpërmjet këtyre letërkëmbimeve zbulohen shumë të dhëna të rëndësishme për ngjarjet e kohës kur janë zhvilluar këto letërkëmbime. Ai do të ketë një letërkëmbim edhe me Anxhela Romano (Balta), intelektuale rumune. Letërkëmbimi dhe dashuria e tyre vazhdoi një kohë të gjatë, nga viti 1918 deri në vitin 1939.

Në fund të vitit 1918 do të udhëtojë në disa qytete të Evropës, për të ndikuar në qarqet politike të shteteve të ndryshme për fatin e Shqipërisë. Në Kongresin e Durrësit, që u mblodh më 25 dhjetor 1918, ai u zgjodh pjesë e delegacionit që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes dhe në Lidhjen e Kombeve. Gjatë periudhës mes viteve 1918-1919 botoi një sërë tekstesh në gjuhën frënge dhe angleze për të ndikuar në vendimet e Konferencës së Paqes, si eseja “Shqipëria dhe Shqiptarët” (Lozanë, 1918), “Rivendikimet shqiptare” (Lozanë, 1919), “Rilindja Shqiptare” (Lozanë, 1919), “Shqiptarë e sllavë” (Lozanë, 1919), “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë”, Lozanë, 1919, “Për Shqipërinë“ (Lozanë, 1919), etj.

Në fillim të shkurtit 1920 Mid’hat Frashëri do të vendoset në Paris, tanimë i emëruar kryetar i Delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes nga qeveria e Sulejman Delvinës, e njëkohësisht do të zgjidhet edhe përfaqësues i konfederatës “Vatra” nga SHBA-ja. Ai do t’i shkruajë një promemorie presidentit të SHBA-s, Wilson, duke rekomanduar edhe burime të ndryshme për të mbështetur me fakte kërkesat e shqiptarëve. Në shtator të vitit 1920 Mid’hat Frashëri do të shkojë në Amerikë, i ngarkuar nga qeveria shqiptare për të ndikuar në orientimin e politikës amerikane në dobi të Shqipërisë, si dhe për të ndikuar që shqiptarët e Amerikës ta ndihmojnë shtetin shqiptar. Atje, në gazetën “Dielli”, do të botojë një sërë shkrimesh. Ai kërkoi nga shqiptarët e Amerikës një hua për shtetin shqiptar, 197.000 dollarë me vlerën e asaj kohe, që iu dërgua qeverisë shqiptare nga Kristo Kirka, nënkryetar i “Vatrës”. Nga SHBA-ja, Mid’hat Frashëri – në shkurt të vitit 1921 – do të shkojë në Londër, për të ndikuar në politikën e Anglisë, që të veprojë në interes të Shqipërisë. Atje bashkëpunoi ngushtë me Lordin Robert Cecil dhe Edith Durhamin.

Në emër të delegacionit shqiptar, më 3 mars 1921, Mid’hat Frashëri i dërgoi një notë z. Eric Drummond, Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Kombeve në Gjenevë, në të cilën reagonte për shkeljen e të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në Jugosllavi dhe Greqi. Më 19 prill 1921 do t’i drejtohej sërish z. Eric Drummond, të cilit i kërkonte mbrojtjen ndërkombëtare të Kosovës, për ta bërë atë çështje të Lidhjes së Kombeve. Krahas reagimeve zyrtare, Mid’hati do të botojë një sërë artikujsh në shtypin evropian të kohës, si “Le Monde Noveau”, “Mercure de France”, “La reve de Geneve”, “Foreign Affairs”, “Times”, “Morning Post” etj.

Ballkani nuk e ka njohur kurrë paqen. Qysh nga fillimi i historisë në këtë qoshe fatkeqe të tokës nuk ka pasur veçse luftëra të brendshme dhe shkatërrime të çdo lloji . Është kjo arsyeja që aty nuk gjen asnjë produkt të veprimtarisë materiale ose intelektuale të njeriut. Ai ka vuajtur shumë për t’iu kushtuar punës mendore, por fqinji i tij ka ardhur shpesh herë për të shkatërruar atë pak gjë që ai ka mundur të prodhojë ose të kursejë. Do të ishte mirë që për popujt e Ballkanit të frynte një erë e re, era e paqes dhe e qetësisë, jo duke e mbyllur, por duke e murosur tempullin e Janusit”. (Mid’hat Frashëri, Revista “Le Monde Nuveau”)

Me përpjekjet e Mid’hat Frashërit dhe profesorit Mario Rouqes, në Paris do të themelohet “Qendra e Studimeve Shqiptare”, me një bibliotekë pranë saj. Mid’hat Frashëri do të kthehet në Shqipëri në tetor të vitit 1922 dhe një nga punët e para që bëri ishte themelimi i Bibliotekës Kombëtare, e cila fillin e kishte që në vitin 1920. Në vitin 1922 do të emërohet ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington, por nuk do ta pranojë këtë emërim, andaj në vend të kësaj do të emërohet ministër fuqiplotë në Greqi, duke vendosur raportet diplomatike për herë të parë me këtë vend. Në vitet plot aktivitete diplomatike e shtetërore, më 1924 në Tiranë do ta botojë librin “Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”. Më 1925 do të kërkojë dorëheqjen nga detyra e ambasadorit të Shqipërisë në Greqi.

Pas kthimit nga Athina në vitin 1926, Mid’hat Frashëri nuk dëshironte të punojë në detyra shtetërore dhe kërkoi pension nga qeveria për shkak të sëmundjes së syve, por ky pension nuk iu dha.

Në periudhën mes viteve 1926-1939 do të jetojë i tërhequr nga detyrat shtetërore, duke ushtruar veprimtari kulturore. Në Tiranë e hapi librarinë “Lumo Skëndo” dhe e vazhdoi botimin e revistës “Diturija”. Në librarinë e tij grumbulloi edhe libra të rrallë me vlerë të veçantë për albanologjinë, përveç bibliotekës private që kishte mjaft botime.

Nuk e kisha parë kurrë në kafenetë Bela Venecia dhe Kursal të kryeqytetit, siç shihja qeveritarët dhe intelektualët e asaj kohe. Lumo Skëndon mund ta gjeje vetëm në librarinë “Lumo Skëndo”. Iu luta babait tim të më shpinte një ditë tek ai. E gjetëm ulur përpara një tryeze të gjatë katërkëndëshe. Ajo që më ra në sy, posa e pashë, ishte jaka e ndrirë e kollarisur, me dy cepa të ngritura siç e mbanin ata të shekullit XIX, kapaku i kollarisur i mëngës së këmishës që dilte nga xhaketa e kostumit krem shantung, e që binte menjëherë në sy nga pastërtia dhe pastaj ajo fytyrë që s’ishte si fytyrat e tjera. (Nga kujtimet e Vedat Kokonës)

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka në zotërim koleksionin e pasur të librave dhe botimeve të ndryshme të mbledhur me kujdes nga Mid’hat Frashëri. Ai do ta shkruante edhe testamentin e tij, ku gjithë pasurinë e tij e linte për krijimin e një “Instituti Albanologjie”, që të ishte një qendër e studimeve shqiptare, duke dashur që tërë librat nga biblioteka e tij të rijnë tok e të mos shkëputen. Në testament kërkoi që, sipas mundësive, edhe varri i tij të jetë në oborrin e këtij institucioni. Përveç teksteve të ndryshme autoriale, Mid’hat Frashëri do të përkthejë një sërë veprash të ndryshme nga gjuhët e huaja. Do të ketë miqësi edhe me studiuesin kroat Milan Shuflai.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, më 8 prill 1939, Mid’hat Frashëri e themeloi organizatën nacionaliste të quajtur “Balli Kombëtar”, ndërsa në qershor e hartoi edhe programin politik me emër “Nacionalizma shqiptare”. Në vitin 1942 u publikua “Dekalogu”, që ishte programi i Ballit Kombëtar i hartuar nga Mid’hat Frashëri.

Balli Kombëtar organizoi edhe çeta të armatosura kundër italianëve. Në këtë kohë e themeloi edhe gazetën “Flamuri”. Mid’hat Frashëri do të marrë pjesë në Kuvendin e Mukjes më 1-3 gusht 1943, për të bashkuar veprimet e organizatës së Ballit Kombëtar me Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, që solli Marrëveshjen e Mukjes. Kjo marrëveshje u prish në mënyrë të njëanshme nga PKSH-ja. Mid’hat Frashëri, me mundësitë e tij, u përpoq ta ndalë luftën civile pas prishjes së marrëveshjes. Ai do të marrë pjesë edhe në Kongresin I të Ballit Kombëtar në Berat, në janar të vitit 1944, ku dha dorëheqje si kryetar, por u zgjodh sërish. Në nëntor të vitit 1944 Mid’hat Frashëri në Shkodër do të deklarojë zhbërjen e Ballit Kombëtar. Më pas ai u largua nga Shqipëria, më 21 nëntor 1944, bashkë me disa krerë të tjerë të Ballit, duke u larguar nga brigjet e Tivarit e duke shkuar drejt Italisë, ku qëndroi nëpër kampet e refugjatëve bashkë me emigrantët e tjerë shqiptarë. Në kampin në Regglio Emilia do të mbahet edhe Kongresi II i Ballit Kombëtar më 31 dhjetor 1945, ku edhe zyrtarisht u shpall shpërndarja e organizatës. Edhe gjatë qëndrimit në Regglio Emilia do të botojë përmbledhje poezish të bëra këngë, që janë kënduar nga mërgimtarët në emigracion. Po ashtu me bashkëpunëtorët e tij, më 1946, do ta botojë revistën “Flamuri”.

Mid’hati, bashkë me Lec Kurtin dhe Vasil Andonin, do t’i paraqesin një memorandum Konferencës së Paqes në Paris më 23 korrik 1946, ku e shpjegonin tragjedinë që solli komunizmi në Shqipëri. Në gusht të vitit 1949 në Paris ai do ta themelojë Komitetin “Shqipëria e Lirë”, pasi kishte bërë konsultime me bashkëpunëtorët e tij në Itali dhe pasi e kishte takuar Abaz Ermenjin në Greqi, Rexhep Mitrovicën në Turqi. Më pas do të vendoset në Londër, ku bashkë me anëtarët e tjerë të Komitetit do të intervistohen nga radioja BBC, një intervistë që ishte realizuar nga Tajar Zavalani. Në shtator 1949 Mid’hat Frashëri do të shkojë në Uashington, ku duhej të kalonte selia e komiteti “Shqipëria e Lirë”. Mirëpo, më 3 tetor 1949 do të vdesë papritur nga një infarkt, duke qëndruar në hotelin “Wintrop” në Nju Jork. Janë ngritur edhe variante për vrasje nëpërmjet agjentëve të KGB-së, siç ishte agjenti i dyfishtë Kim Philby. Mid’hat Frashëri u varros në varrezën Fernchlif në Nju Jork.

Për studimin e veprës dhe jetës së Mid’hat Frashërit në vitin 2016 në Tiranë u themelua Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, një nismë nga Uran Butka dhe Agron Shehaj. Ky institut boton në vazhdimësi krijimtarinë e plotë të Mid’hat Frashërit, të paraparë në 12 vëllime. Është botuar edhe një Album Historik kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Ai e la amanet që trupi i tij të prehet në Shqipëri. Ky amanet u plotësua më 14 nëntor 2018, në 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Me propozim të Institutit të Studimeve Historike “Lumë Skëndo”, qeveria shqiptare vendosi t’i kthente në Shqipëri eshtrat e Mid’hat Frashërit, të cilat tash prehen në Kodrat e Liqenit në Tiranë.

Përshkrimi i fotografive:

Mid’hat Frashëri në moshën 16-vjeçare në Stamboll (1896).
Mid’hat Frashëri pranë bibliotekës së tij.
Mid’hat Frashëri në Kongresin e Manastirit (në mes).
Mid’hat me motrën Emine Selanik më 1909.
Mid’hat Frashëri në librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë.
Mid’hat Frashëri me anëtarët e Komitetit “Shqipëria e Lirë” në BBC, të intervistuar nga Tajar Zavalani.
/SHENJA