Emisioni “kush e fitoi debatin” një debat farsë qysh nga titulli

Shkruan: Fitim Nuhiu

Mbrëmjen e 05.04.2024, në Klan Macedonia pati një debat politik (Debat plus me Ermal Pandurin një emision i ‘importuar’ nga Kosova, me panelistë që diskutuan për kandidatët presidencialë në Maqedoninë e Veriut).

Në botën demokratike supozohet që debatet, sidomos ato publike (politike) bëhen për të sheshuar e paraqitur argumente pro dhe kundër, për të diskutuar idetë ndryshe të plaftormave të subjekteve përkatëse politike, që ato debate t’i sheh opinioni publik e që më pas t’i gjykojë dhe t’i vlerësojë dhe në fund t’i votojë ose jo, por në asnjë mënyrë të gjykohet e lëri më t’i vihet një titull komik “kush e fitoi debatin” (duke iu referuar debatit të parë presidencial ndërmjet dy kandidatëve z. Bujar Osmani nga BDI dhe z. Arben Taravari nga opozita shqiptare, të mbrëmjes së 4.4.2024 (ClickPlus, Tv21)).

Sikur të kishin diskutuar për atë se çfarë debatuan, profilet e tyre politike, për përmbajtjen e deklarimeve të tyre, kush solli më shumë ide ndryshe dhe bindëse, për programet e tyre, t’i gjykojnë dhe analizojnë të mirat dhe të metat e ideve që sillnin të dy kandidatët, do t’i nderonte këta panelistë, por atë që pamë, ishte e kundërta, ishin rreshtuar tashmë kush me kë, ishin ndarë jo rastësisht jo vetëm nga vend-ulja e tyre por edhe nga idetë dhe qasja. Sidoqoftë, debati nuk bëhet që të fitohet njëri e të humb tjetri, kjo qasje është totalisht e gabuar. Në debat diskutohen, paraqiten argumente dhe ide, komunikojnë subjektet e caktuara, ballafaqohen mendimet ndryshe, e nuk fitohet domosdoshmërisht, sepse e vërteta objektive gjithnjë është në ndërsubjektivitet, pra është gjithnjë e diskutueshme mes palëve.

Kohët e fundit po vërejmë që në debatet televizive të politikës në Maqedoni herë pas here iu bashkangjiten edhe gazetarë nga Kosova, mbase edhe t’i ndihmojnë gazetarët e lodhur e jo të artikuluar sa duhet që ka në Maqedoninë e Veriut, mbase edhe synohet që të sjellin një frymë paksa më atraktive dhe interaktive në këto debate të zymta që ndodhin gjetiu në Maqedoninë e Veriut, që dorën në zemër i kanë munguar dhe i mungojnë edhe sot, mirëpo duke parë dhe analizuar këto debate të fundit politike, qytetari i thjeshtë arrin në përfundim se në këto debate bëhet vetëm tifozeri klasike (sportive), sa në njërin krah politik, aq edhe në krahun apo bllokun tjetër oponent, që të duken sikur janë në kafene dhe nuk kanë përgjegjësinë e fjalës së thënë publike, tallen në formatin më cinik me tjetrin që s’pajtohen, aspak s’janë serioz, me një fjalë këto debate që shohim nuk janë aspak në interes të publikut apo në frymën e orientimit të qytetarit (votuesi duhet të jetë i mirëinformuar për subjektet politike) siç duhet, por me rekomandime dhe diktate partiake.

Më habit fakti që asnjëri nga panelistët (edhe pse disa prej tyre nuk i njihja), nuk qëndroi neutral në gjykimet e veta, psh, t’i nxjerrë dritë-hijet e njërit kandidat apo tjetrit, por secili i rreshtuar në një palë, me z. Taravari apo me z. Osmani, gjë që natyrisht me këtë qasje s’mund të gjykojnë drejt dhe saktë në analizat e tyre, sepse qëllimin e kanë qysh nga fillimi, si ta mbroj liderin që i besoj, pavarësisht të vërtetës (nuk dua të spekuloj nëse ka ndonjë privilegj tjetër më shumë).

Gjithnjë jam hamendësuar se përse nuk ka debate publike për tema të ndryshme që tangojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm ato politike, por edhe sociale, ekonomike, etj, dhe përgjigjen sikur po e marrë dalëngadalë, sepse mungon guximi intelektual i njerëzve të profileve të ndryshme, njerëz që nuk janë të aftë të ballafaqohen me mendimet ndryshe për tema përkatëse, gjë që tregon njëfarë kompleksi inferioriteti, që nuk duan të shfaqen me mendimet e tyre në publik, ose ata të paktë që shfaqen, s’janë të formuar intelektualisht sa duhet, kjo shihet nga qasja, fjalori, leksiku, e qëndrimet e tyre, etj.

Se sa e ndihmojnë gazetarët e Kosovës debatin në Maqedoninë e Veriut, është për t’u parë me rezerva, sepse ata nuk e njohin realitetin e politikës (ditore) mjaftueshëm, detajet e shumë çështjeve nuk i dinë, analiza s’mund të jepen vetëm mbi bazë të asaj se çfarë dëgjojnë (mbase edhe me rekomandime) pa e prekur këtë realitet faktik, pa e jetuar, gjë që përfundoj se vetëm gazetarët e paanshëm (që kanë filluar të ngrejnë krye herë-herë), veçanërisht nga Maqedonia e Veriut, mund të kontribuojnë për një debat mirëfilli dhe të frytshëm që do të shërbejë për qytetarët e po këtij vendi, prurjet e jashtme vetëmse e ndërlikojnë çdo temë eventuale, e sidomos atë politike.