EMA: Pandemia e COVID-19 nuk ka përfunduar

A waiter takes a food order Saturday, July 18, 2020, in Burbank, Calif. The city of Burbank has closed off some streets in the downtown district to allow restaurants to expand their outdoor seating arrangements amid the Coronavirus pandemic. (AP Photo/Marcio Jose Sanchez)

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha më 20 shtator se rastet dhe vdekjet me koronavirus po bien, por paralajmëroi se “pandemia ende po vazhdon”, duke iu bërë thirrje shteteve që të përshpejtojnë programet e imunizimit para stinës së dimrit.

Të dhënat e mbledhura gjatë javëve të fundit “kanë treguar një rënie të numrit të përgjithshëm të rasteve dhe vdekjeve në Evropë të shkaktuara nga sëmundja COVID-19 “, tha kreu për strategji të vaksinave i kësaj agjencie të Bashkimit Evropian, Marco Cavaleri.

“Megjithatë, teksa po afrohet vjeshta, ne duhet të përgatitemi për një valë të re të infektimeve në linjë me tredin e shfaqur nga ky virus në dy vjetët e fundit”, tha Cavaleri gjatë një konference për media.

Këto deklarata nga EMA-s vijnë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë një interviste për CBS tha të dielën se pandemia ka përfunduar në SHBA.

“Pandemia ka përfunduar. Ne ende kemi problem me COVID-in. Ne ende duhet të bëjmë shumë punë për këtë gjë… por, pandemia ka përfunduar”, tha Biden.

Megjithatë, EMA vlerëson se pandemia ende po vazhdon në kontinentin evropian.

“Është e qartë për mua dhe Cavaleri e bëri shumë të qartë se ne në Evropë ende konsiderojmë se pandemia po vazhdon”, tha shefi mjekësor i EMA-s, Steffen Thirstrup.

“Është e rëndësishme që shtetet anëtare të bllokut të vazhdojnë me dhënien e vaksinave” kundër koronavirusit, tha ai.

Javën e kaluar, EMA miratoi vaksinën e parë – një version të modifikuar të vaksinës së Pfizer/BioNTech – që shënjestron llojet shumë infektuese BA.4 dhe BA.5 të variantit Omicron të koronavirusit.

Në dy vjet e gjysmë – që kur u shfaqën rastet e para me COVID-19 në Kinë – sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në botë janë regjistruar mbi 612 milionë raste dhe mbi 6.5 milionë kanë vdekur.