Elsa Lila: Si më arrestuan 7 policisë të armatosur deri në dhëmbë, edhe pse isha e pafajshme!

Këngëtarja Elsa Lila flet për herë të parë për arrestimin në Itali pranverën e 2022-shit. Në një intervistë për gazetaren Mira Kazhani, në TiranaPost, Lila rrëfen periudhën më të vështirë të jetës së saj, izolimin, që ajo e quan kafshëror dhe në fund triumfin, kur u çlirua nga ai izolim.

Intervista!

Mira Kazhani: Jo vetëm unë, besoj disa njerëz e mendojnë që një moment i vështirë dhe i errët në jetën tënde ka qenë si vjet në këtë kohë, në pranverën e shkuar. Ke gjithë të drejtën e Zotit të mos i përgjigjesh kësaj pyetjeje, ose të mos komentosh në atë që unë do doja ta preknim bashkë të dyja sot këtu. Po nëse e ndjen të bësh një koment për atë ngjarje dhe se çfarë të ka lënduar ty më së shumti në atë histori, në atë njollë ndoshta të errët brenda teje, që pavarësisht pafajësisë ne e dimë vetë, janë disa gjëra që vijnë, na ndodhin dhe na shoqërojnë përgjithmonë, na shenjojnë në njëfarë forme jetë tonë.

Elsa Lila: Atë mëngjes të tmerrshëm, 16 mars 2022 ndërkohë që unë flija paqësisht në orën 5 të mëngjesit, flija së bashku me vajzën time përqafuar, më paraqiten në shtëpi 7 policë të armatosur deri në dhëmbë. Përdhunojnë shtëpinë time deri në detaje dhe gjejnë vetëm libra, vepra arti, instrumente muzikore dhe lodra fëmijësh. Më shihnin si të çuditur, sepse kërkonin diçka në shtëpinë time që nuk ekzistonte dhe unë i pyesja vazhdimisht, u thoja: “Çfarë po kërkoni në radhë të parë nga unë dhe çfarë po kërkoni këtu”? “Këtu nuk ka asgjë”! Një proces verbal ku rezultonin të sekuestruar vetëm celulari im dhe iPad-i i vajzës time. Çdo gjë ishte absurde. Pra nuk gjendet asgjë në shtëpinë time. Nuk gjendet asgjë në telefonin tim. Nuk gjendet asgjë përsa i përket figurës time. Nuk kishte asgjë në lidhje me figurën time, por përsëri ata duhet të ekzekutonin urdhrin për të më çuar atje ku më çuan.

Mira Kazhani: Ato dy muaj në izolim si mbijetove ti?

Elsa Lila: Nuk dua të flas për dy javët e izolimit, sepse ka qenë një eksperiencë gati kafshërore, jo njerëzore. Po mundohem të përmbledh gjithë këto kujtime dhe histori në një libër. Po shkruaj një libër dhe do t`i tregoj më në mënyrë të detajuar në këtë libër kur të jetë…

Mira Kazhani: Ide shumë e mirë! Do të të ndihmojë edhe ta…

Elsa Lila: Si katarsis!

Mira Kazhani: Është një katarsis i mirë.

Elsa Lila: Është më tepër një katarsis për mua dhe për ata njerëz që kanë dëshirë të dinë më shumë për eksperiencën time atje, jo për historinë time, sepse nuk ka një histori në lidhje me këtë arrest. Ama eksperienca ime atje brenda është një histori e fortë.

Mira Kazhani: Komunikimi i parë që ke pasur ti kur ke hyrë aty brenda?

Elsa Lila: Komunikimi i parë! Kisha një refren që ishte: “Jam e pafajshme”! Nuk kam rreshtur së thëni këtë gjë. “Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme”! “Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme, nuk kam bërë asgjë. Përse jam këtu”? Do të ta shpjegojmë kur të vijë avokati yt! Unë nuk kisha asnjë avokat. Jam futur atje brenda pa avokat, sepse kurrë në jetën time nuk më është dashur një avokat për jetën që kam bërë. Nuk kam pasur nevojë. Avokatin e kam takuar pas tre javëve. Është një rast i rrallë, sepse zakonisht më tregojnë se kur ndodhin këto gjëra, avokati ka të drejtë të shkojë të takojë klientin e tij menjëherë. Unë e kam takuar pas 3 javëve, e para sepse nuk kisha një avokat dhe deri sa u gjet nga miqtë e mi dhe nga familja ime të cilët ishin jashtë këtij lloj ambienti dhe ka qenë e vështirë dhe për ta që të gjenin dikë të ndershëm që të më ndihmonte. Pra refreni im ishte: “Jam e pafajshme! Jam e pafajshme”! Dhe më pas u thashë të futeshin në “Google” dhe të shikonin kush unë isha dhe çfarë dija të bëja dhe cila jam realisht. Jam një artiste nuk jam një kriminele! “Ju lutem, – iu thashë, – shkoni dhe lexoni mbi mua, dëgjoni zërin tim. A mundet një njeri që transmeton atë që transmeton me emocionet e saj, njëkohësisht t`i bëjë dëm shoqërisë? Të jetë një kriminele?” Nuk mund të qëndrojnë të dyja figurat bashkë sepse është e pamundur të qëndrojnë të dyja. E bukura dhe e shëmtuara në të njëjtin trup nuk mund të bashkëjetojnë dhe shumë shpejt e kuptuan të gjithë. Gardianet mbasi kishin parë se cila unë isha në ditët në vijim ndryshuan totalisht sjellje me mua. Bashkëbisedonim në mënyrë ”normale”, jo si një superior me një qenie inferiore. Mundoheshin të më ndihmonin, të më ruanin nga individë të rrezikshëm.

Mira Kazhani: Kishe frikë?

Elsa Lila: Po! Shumë frikë!

Mira Kazhani: Kishe ndonjë situatë të rrezikshme apo…?

Elsa Lila: Atje çdo ditë kishte situata të rrezikshme. Çdo ditë!

Mira Kazhani: Kur fitove lirinë tënde, cila ishte ndjesia që pate?

Elsa Lila: Atje brenda isha e bindur çdo ditë që çdo ditë do ishte dita e fundit dhe unë do dilja. Çdo ditë i thoja shoqeve të dhomës: “Ndoshta sot është dita e fundit, unë nesër do dal. Është e sigurt, unë jam e pafajshme, sigurisht që do vijnë të më shpëtojnë. Sigurisht do vijnë të më marrin prej këtu. Është një gabim shumë i madh. Sigurisht që unë do dal që këtu!” Për mua çdo ditë ishte dita e fundit dhe mendoja se kur të dilja që aty do kishte qenë për mua një shpërthim.

Mira Kazhani: Triumf!

Elsa Lila: Një triumf, “conquista della liberta” liria ime u rifitua, por zbulova që mbasi njeriu mbyllet me forcë në një vend për shumë kohë, kur del prej atij vendi fillon sindroma e mbylljes dhe nuk jam as e para dhe as e fundit. Pastaj u informova për këtë, u ndihmova për këtë. Unë për një kohë të gjatë mbas kësaj nuk dilja dot rrugëve të Romës. Nuk dilja dot nga shtëpia. Më kapnin kriza paniku dhe vazhdoja mbylljen. Vazhdoja të isha në burg në shtëpi, sepse kisha frikë të dilja dhe nuk e kuptoja as se nga se kisha frikë.

Mira Kazhani: Elsa si u ndjeve kur lexove komentet negative nga Shqipëria, për arrestimin tënd?

Elsa Lila: Dua të them në radhë të parë që gjatë kohës që unë isha atje brenda nuk dija asgjë nga e gjithë kjo.

Mira Kazhani: Kush t’i tha komentet? Kur i mësove? Kur dole?

Elsa Lila: Kur dola.

Mira Kazhani: Kur i lexove çfarë ndjeve?

Elsa Lila: Unë nuk kam lexuar asgjë, m`i kanë thënë. Nuk kam lexuar se përse unë të marr një energji negative në mënyrë të padrejtë nga njerëz që nuk e dinë historinë time dhe thjesht shfryjnë mllefet e tyre dhe kënaqen me disfatën e tjetrit.

Mira Kazhani: A pate dëshirë të bësh një reagim?

Elsa Lila: Jo!

Mira Kazhani: Pse?

Elsa Lila: Sepse do të ishte i kot. Reagimi do të ishtë i kot. Thjesht do t`i jepja “click-e” të tjera gazetave dhe “like” të tjera gazetave që shumë u morën dhe shumë “click”-e morën nga fatkeqësia ime dhe vajzës time.

Mira Kazhani: A ke ndonjë pritshmëri nga ky podcast?

Elsa Lila: Unë gjërat i bëj sepse i ndjej, jo se kam një pritshmëri. Unë kisha shumë dëshirë të bisedoja me ty. Kisha shumë dëshirë që në njëfarë mënyre t`i tregoja diçka më shumë njerëzve që më duan dhe njerëzve që më kanë përkrahur. Nuk jam këtu për ata që pa më njohur kanë përbuzur figurën time. Jam këtu për ata që më duan dhe që më kanë mbrojtur gjatë asaj periudhe, sepse duke mbrojtur Elsën, pa ditur ata kanë mbrojtur edhe Evitën. Ata kanë mbrojtur dhe babin tim. Ata kanë mbrojtur dhe motrën time. Ata kanë mbrojtur dhe gjyshërit e mi./K.C/dritare.net